Ballina Ekonomia Samir Mane shet rrjetin e marketeve SPAR

Samir Mane shet rrjetin e marketeve SPAR

153
0

Rrjeti i dytë më i madh i marketeve në Shqipëri, Spar Albania ka ndërruar pronar. Kompania kosovare Viva Fresh Group njoftoi se ka arritur marrëveshjen me grupin Balfin për blerjen e zinxhirit të supermarketeve SPAR.

“Me krenari njoftojmë se SPAR Albania i bashkohet Viva Fresh Group, duke forcuar pozicionin tonë si një nga kompanitë më të fuqishme në rajon me impakt të madh mbarëkombëtar.
Ky investim rrit praninë tonë në Shqipëri dhe sjell ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë e te dy vendeve, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, fuqizimit të prodhuesve vendor dhe modernizimit të tregut,” njoftoi kompania kosovare.

Spar Albania është themeluar në prill të vitit 2015. Kompania numëron mbi 930 punonjës në zinxhirin e supermarketeve të saj dhe vitin e kaluar realizoi një xhiro prej rreth 107 milionë eurosh. Sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në QKB, fitimi neto i kompanisë për vitin 2024 ishte 3.4 milionë euro.

Aksionet e shoqërisë zotërohen në masën 100 për qind nga Balfin shpk, grupi në pronësi të biznesmenit Samir Mane. Por ky mund të mos jetë transaksioni i vetëm.

Një burim nga brenda Balfin i tha Kapitalit se ka negociata për shitjen e një tjetër kompanie të madhe të grupit. Ndërkohë pak ditë më parë Balfin së bashku me një kompani amerikane njoftuan blerjen e qendrës “340 Mount Kemble” në New Jersey, një kompleks zyrash me sipërfaqe prej mbi 40 mijë metër katrorë, që akomodon disa prej institucioneve më të mëdha financiare ndërkombëtare.

Këto lëvizje me sa duket janë pjesë e një strategjie të Balfin për të reduktuar praninë në Shqipëri dhe për t’u zgjeruar drejt tregjeve jashtë.

Ndërkohë Viva Fresh Store zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go./Kapital