Ballina Aktualitet ​Shqipëria me rregulla të reja për operatorët turistikë

​Shqipëria me rregulla të reja për operatorët turistikë

27
0

Ndërsa për këtë vit pritet që Shqipërinë ta vizitojnë rreth 14 milionë të huaj, qeveria shqiptare këtë vit pritet të vendosë një sërë ndryshimesh që u miratuan në Ligjin për Turizmin

Një projektligj i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit përcakton se bizneset që ofrojnë shërbime turistike do të jenë të detyruara të kenë si drejtues teknik një individ me kritere të posaçme, duke nisur nga diploma që duhet të jetë në këtë fushë, eksperienca dhe deri te gjuhët e huaja të mbrojtura.

Në relacionin shoqërues përcaktohet se për të ofruar një shërbim të duhur kundrejt vendasve po dhe të huajve, operatori duhet të ketë eksperienca të mëparshme dhe duhet të jetë i punësuar vetëm në një subjekt, raporton tch.

“Operatorët turistikë, duke pasur si drejtues të aktivitetit të tyre një person të arsimuar, i cili zotëron një diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve ose ka mbaruar shkollën e mesme profesionale në përputhje me objektin e veprimtarisë së biznesit si dhe të ketë eksperience pune të mëparshme në fushën e turizmit, do të mundësojë ofrimin e një shërbimi më cilësor për klientin dhe do të rrisë kërkesën në treg për shërbimin e tij”, thuhet në vendim.

Jo vetëm për të ofruar një shërbim sa më të mirë, por edhe për të rritur konkurrencën në rajon, Ministria e Turizmit përcakton në projektligj se turizmi shqiptar do të jetë më cilësor.

“Duke qenë se veprimtaria e operatorit turistik zhvillohet në bashkëpunim me furnizuesit e shërbimeve brenda dhe jashtë vendit si dhe me operatorët turistik të huaj, nëpërmjet këtij projektvendimi synohet rritja e konkurrencës në rajon dhe me gjerë”, thuhet më tej në vendim.

Projektligji përcakton se ndërmarrja e një sërë rregullash të reja do të përmirësojë cilësinë e sektorit për vitin 2025.