Në një kohë kur në të trija shkallët e gjyqësorit presin për zgjidhje rreth 350 mijë dosje, në vendin tonë ekziston edhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve, e cila ka në përbërja 114 anëtarë, të cilët japin zgjidhje të shpejta jashtë gjykatës.
Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, Drita Avdili, shpjegoi se ndërmjetësimi është një alternativë e re e 10 viteve të fundit për të zgjidhur konfliktet pa iu drejtuar fare gjykatave.
“Ose edhe nëse një qytetar nuk ka informacion dhe shkon në gjykatë, atëherë palët informohen dhe drejtohen drejt ndërmjetësimin. Është një proces shumë i shpejtë, pra në dallim me proceset gjyqësore që shkojnë nga 7 deri në 10 vite, ky është një proces që mbyllet nga 1-30 ditë, shumë më i shpejtë dhe me shumë pak kosto. Jo vetëm palët marrin një ndërmjetës dhe jo dy avokatë, tarifat janë shumë të ulëta dhe procedurë shumë e shpejtë. Ti e zgjedh vetë ndërmjetësin dhe jo si të bie me rotacion në gjykatë”.
Zgjidhja që ofrohet me ndërmjetësim është titull ekzekutiv, e barasvlershme me një vendim të Gjykatës së Apelit dhe ekzekutohet direkt, theksoi Avdili.
“Kemi shtrirje në të gjithë Shqipërinë, janë 114 anëtarë në të gjithë Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve, në nëntor kemi unifikuar licencat edhe me Republikën e Kosovës, një ndërmjetës i Kosovës punon në Shqipëri dhe e anasjellta. Kemi filluar një trajnim rishtaz, ku po licencohen edhe 90 të rinj. Po tentojmë të hapim zyrat në ato qytete ku janë mbyllur edhe gjykatat që të mos jetë kjo një kosto shtesë e qytetarëve”.