Ballina Politika Lavdia e një burri qëndron në fuqinë për të vendosur fundin e...

Lavdia e një burri qëndron në fuqinë për të vendosur fundin e tij

44
0

Ata që menduan se Edi Rama i dha Erion Veliajt të paktën privilegjin e humbjes me nder në përplasjen për Bashkinë e Tiranës u zhgënjyen shumë shpejt. Të nesërmen e kryengritjes 12 orëshe në pallat, shefi i qeverisë urdhëroi ekzekutimin publik të rebelëve, që kishin guxuar ta sfidonin.

Shkarkimi turpërues i Alban Dokushit dhe Sara Goxhajt, vetëm pak orë pasi kryebashkiaku e kishte quajtur emerëimin e tyre në postin e kryetarit të komanduar dhe sekretarit të përgjitshëm në Bashki si keqkuptim, ishte mesazh i qartë. Edi Rama nuk i lejoi Veliajt as alibinë e kapitullimit me dinjitet duke i treguar publikut kokat e prera të puçistëve.

Sepse Edi Rama ky është. Ai nuk fal dhe as nuk harron. Kush guxon të ngrejë krye mbi udhëheqësin fuqiplotë nuk meriton as mëshirën e humbjes me nder.

Por ky ishte vetëm njëri nga qëllimet e largimit të Dokushit dhe Goxhajt. Qëllimi i dytë ishte të priste lidhjet e fundit të Veliajt me bashkinë e Tiranës. Me largimin e tyre, praktikisht Edi Rama e ka shkarkuar Erion Veliajn nga drejtimi i bashkisë, edhe pse zyrtarisht e mban akoma në detyrë për shkak të kalkulimeve politike.

Largimi zyrtarisht i Veliajt nga Bashkia e Tiranës do të impononte zgjedhje të detyrueshme brenda 45 ditëve në Tiranë. Teksa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, ky është një risk që Edi Ramës nuk i intereson, sepse mund t’i rezervojë ndonjë surprizë të hidhur duke ja komplikuar jo pak edhe llogaritë e 11 majit.

Por ndërsa Rama bën llogaritë e veta nga pozitat e fitimtarit, pozitat e Erion Veliaj vetëm sa përkeqësohen. Megjithatë kryebashkiaku ka ende në dorë të vendosë fundin e betejës. Dhe lavdia e burrit qëndron në fuqinë për të vendosur fundin e tij.

Erion Veliaj ka në dorë të vendosë nëse do të bjerë me shpatë në dorë në fushën e betejës apo të dorëzohet duke iu përulur mëshirës së Edi Ramës. Deri tani ka bërë të dytën. Por kjo nuk ja ka përmirësuar aspak pozitat e vështira në të cilat gjendet. Përkundrazi.

Ndaj në këtë pikë zgjedhja më racionale duket evidente. Vikingët kanë patur një proverb të fuqishëm. “Më mirë të luftosh dhe të biesh se sa të jetosh pa shpresë.”/ kapital