Policia e Durrësit ka zhvilluar një aksion në kuadër të operacionit “Spring”. Gjatë aksionit janë sekuestruar 3.5 kg kanabis sativa, që shtetasi Haxhi Çela ja kishte blerë shtetasve Ardis Kraja dhe Gerald Kuqi.
Policia njofton se janë vënë në pranaga shtetasit Gerald Kuqi dhe Ardis Kraja që i kishin shitur lëndën narkotike shtetasit Haxhi Çela.
Njoftimi Policise
Durrës/Operacione të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Spring”.
Ushtronin veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen 3.5 kilogramë kanabis, e përpunuar dhe gati për shitje.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Spring”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Ç., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi H. Ç., i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht A. K., 43 vjeç dhe G. K., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit H. Ç., në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit A. K. dhe G. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.