Ballina Dossier ‘Partia jonë e lavdishme dhe shoku Enver’, ‘hedhim valle në gojën e...

‘Partia jonë e lavdishme dhe shoku Enver’, ‘hedhim valle në gojën e ujkut’- Kujtimet e shkrimtarit

38
0

Nga Sokrat Shyti

Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.

Kush është Sokrat Shyti?

I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.

Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!

Agron Tufa

PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”

Të nesërmen, pa zbardhur mirë drita e mëngjesit, mbërriti në divizion me kod të shifruar, urdhri i Komandës së Përgjithshme: “Të nisen ushtarët e miratuar të NBU-së drejt vendqëndrimit të ri, në kodrat e fshatit Hamallaj të Sukthit, të shoqëruar nga oficerët e ngarkuar”!

Klithma e kapterit, si britme lubie, na përpëliti çdo pore të trupit, deri në palcë! Ne brofëm të trembur nga krevati, të bindur se “Kuqon” e kish ngërthyer tërbimi i hakmarrjes, ndaj donte të lozte me nervat tona për të fundit herë, duke na detyruar të zvarritemi rrëshqanthi, që kur të largohemi prej këtu, të mbetet në përfytyrimin tonë të drithëruar, silueta e xhelatit të torturave, dhe të na mbushet përfundimisht mendja, se kjo qenie s’ka lindur nga mitra e një gruaje, por ka dalë nga ujërat e detit t Kuq!…

Megjithatë këtë herë rreshtimi para krevatit, s’kishte të bënte me trajnimet e zakonshme, pasi klithma e parë nuk u shoqërua me komandat ulëritëse në vazhdim, dhe çuditërisht u vendos qetësi e thellë! Pas pak, në vend të sokëllimave ulëritëse, dëgjuam zërin e butë të shefit të sektorit, i cili na tha rregulloni krevatin, kryeni nevojat tuaja personale, bëni gati çantën e shpinës, hani mëngjes, dhe menjëherë rreshtohuni para fjetores, ku do hipni në makina, për të shkuar atje ku na thërret Atdheu.

Ne iu përveshëm punës me zell, të kryenim urdhrat e shefit të sektorit, tashmë të ngazëllyer, pa trembjen e fillimit, sepse ne vend të makthit kërcënues, u pështjelluam me kënaqësinë dehëse të transferimit.

Edhe pse asnjë prej nesh nuk e dinte ku do shkojmë, secili i besonte shpresës që do dalim në sop të thatë e, do marrim frymë lirshëm. Para së gjithash ishim të sigurt, që askund nuk gjendet një qenie e dytë po kaq e frikshme, si kapteri sykuq. Dhe po kaq e rëndësishme: shumë nga ushtarët qenë të bindur, se në repartin e ri, s’do quhen rekrut të porsaardhur, por me stazh dy mujor, gjë që e nënkuptonte karantinën të përfunduar, dhe se cikli i saj nuk do përsëritet.

Për rrjedhojë, ushtarëve u jepet e drejta për liridalje. E po t’i ndihmojë fati, vendqëndrimi repartit të ndodhet fare pranë rrugës së makinës, mjafton një liridalje njëzet e katër orë, për të shkuar një copë herë pranë familjes, në shtëpi! Pikërisht kjo mundësi përbën ndryshim rrënjësor, krahasuar me jetesën e këtushme, të izoluar si në kamp përqendrimi, ku e shumta ëndërrimi shtrihej deri tek vajtja në Burrel!

Kur prisnim të rreshtuar komandën për veprim të mëtejshëm, vura re komisarin e kompanisë, që iu qas një oficeri shtat imët, për t’i thënë diçka. Ndoshta i jepte porosi që t’i kishte parasysh, ose e sqaronte rreth një çështje. Por pas pak shikimi i oficerit u fiksua mbi portretin tim, dhe kuptova që bashkëbisedimi i tyre u shtjellua kryesisht për mua. Dhe kështu doli: komisari më bëri shenjë me dorë, të shkoja pranë tyre.

– “Ky do jetë komandanti juaj i ri”, – shpjegoi komisari.

– “Meqë keni të dy pothuaj të njëjtën moshë, besoj do ta kuptoni shumë shpejt njeri tjetrin. Sa për dijeni: unë i shpreha mendimin, që ti të jesh krahu i tij i djathtë, në rolin e zëvendësit, për të kryer detyrën e komisarit.

Sepse në strukturën e re, nuk figuron në organikë komisar kompanie oficer, rrogëtar. Prandaj këtë detyrë, e kryen një ushtar i arsimuar,si puna jote”.

– “Ju falënderoj për vlerësimin dhe besimin tuaj, shoku komisar! Gjithashtu ju falënderoj dhe ju, shoku komandant, që pranuat propozimin e komisarit tonë të nderuar, me të cilin punuam bashkë me frymë të plotë mirëkuptimi”! – ju drejtova oficerit shtat imët.

Pranë nesh u afrua kolonel Josifi, për t’i thënë komisarit të mbante fjalën e përshëndetjes, pasi erdhi çasti i nisjes. Oficerët u vendosën para ushtarëve, sipas gradave e rangut. Komisari kroi zërin dhe ia nisi ligjëratës së zakonshme, duke përsëritur disa herë togfjalëshit: “Partia jonë e lavdishme”, “Shoku Enver”, “Vigjilence revolucionare”, “Hedhim valle ne gojën e ujkut”, “Jetojmë e stërvitemi si në rrethim”. “Ata na kthejnë pushkën, ne i kemi në grykën e topit”, etj. Në fund shprehu besimin e organizatës së partisë dhe komandës së repartit, se ushtarët e NBU-së, do ta kryejnë me nder detyrën, që i ngarkon Atdheu, si ushtarë efektivë në strukturën e rregullt të Forcave të Armatosura.

Pas fjalës përshëndetëse të komisarit, filloi hipja e ushtarëve në kamionët e mbuluar, duke u ulur në stolat prej dërrase, sipas rreshtimit të listës.

– “Po emri im, pse nuk u thirr”?!… – pyeta unë i shqetësuar komisarin.

– “Ti je krahu i djathtë i komandantit, do ulesh në kabinë bashkë me oficerin shoqërues”, – ma ktheu me njëfarë krenarie komisari, njësoj sikur të thoshte: “A e sheh sa largpamës e me peshë jemi ne ndihmësit besnike të Partisë”?!

Dy makinat ushtarake u nisën, morën drejtimin tek postblloku, ku po priste komandant Sula, të më shtrëngonte dorën.– “Sa herë të shikosh fotografitë, ku kemi dalë, do të kujtohen bashkëbisedimet tona”, – tha ai me buzëqeshjen e ndarjes.

Makinat vazhduan më tej ecjen e ngadaltë deri në kthesën me xhadenë. Pastaj morën shpejtësinë e duhur, sipas rregullores. Prapa nesh mbetën mjegulla e dendur, baraka e dërrasës si ahur kuajsh, kodrat me dhe të kuq dhe klithmat çjerrëse të kapterit, që na rrëqethnin mishin e na kallnin datën!

Gjatë rrugës, oficeri shoqërues, komandant Aliu, deshi të shuante kureshtjen kryesore: si ndodhi që një gazetar kryen shërbimin ushtarak në një ndërmarrje bujqësore, kur ndërkohë ndjehet si asnjëherë më parë, nevoja për komisar, për faktin se këta oficerë duhet të kenë përgatitje të gjithanshme politike: përveç arsimimit ushtarak, duhet detyrimisht të kenë mbaruar shkollën e lartë të partisë.

– “Apo për rastin tënd si kusht, ka shërbyer kufiri fundor i moshës”? – shtoi ai në fund.

– “Varet si e kanë parë ata të Degës Ushtarake”, – ia ktheva unë, duke dashur të mbyllej me kaq kureshtja e tij.

– “Megjithatë, pavarësisht pse ju morën ushtar në këtë repart, më erdhi mirë që drejtuesit e NBU-së, të vlerësuan”! – shprehu togeri pëlqimin e tij.

– “E dini pse erdhi ky vlerësim? – iu drejtova togerit shtat imët. – Sepse repartin ushtarak e drejton një oficer madhor me përgatitje të lartë, që ka mbaruar akademinë në Moskë, dhe me shembullin e tij personal, rrezaton edukatë tek të gjithë vartësit. Besoj duhet të keni vënë re brenda kësaj kohe, që ndenjët në NBU, se çfarë kompaktësie kishte midis oficerëve të repartit, sa të sjellshëm e të njerëzishëm ishin! Këto marrëdhënie u krijuan falë shembullit personal dhe edukatës së kolonelit. Do dëshiroja shumë të gjejmë po të njëjtën gjendje në repartin e ri, ku do shkojmë…! Kjo ka rëndësi sidomos për ju, oficerët e rinj të karrierës”.

– “Duke qenë formacione të rinj, as ne nuk e dimë cilët do jenë eprorët tanë – tha togeri. – Por një shok në shtabin e FUD-it, përmendi emrin e komisarit të regjimentit, me gradën kolonel, që ka mbaruar shkollën e lartë të partisë”.

– “Prejardhjen familjare, nga e keni shoku toger”? – e pyeta unë për të mos e trashur bisedën me hollësira ushtarake.

– “Nga Kuçi i Kurveleshit. Jemi familje blegtorale, rritim e mbarështojmë kryesisht dhi, pasi kullotat janë të përshtatshme. Zakonisht nga fshatrat tonë, dërgohen shume djem në Shkollën e Bashkuar Ushtarake”.

– “Po sikur t’ju pyesnin çfarë dëshire keni, ju cilën degë do zgjidhnit”?

– “Më pëlqen mësuesia”! – u përgjigj menjëherë togeri.

– “Kjo do të thotë se i doni fëmijët dhe do jeni baba i kujdesshëm në familjen tuaj”, – shtova unë.

– “Jeni i fejuar”? – më pyeti ai.

– “Para dy muajve u fejova”.

– “Sa keq të paska rastisur: menjëherë pas fejesës të morën ushtar!… – Pse ndodhi kështu? T’ju kishin lënë të paktën dy tre muaj…”?!

– “Por edhe po të më linin, do ngrihesha tani me mobilizimin e përgjithshëm”, – i thash unë për të shmangur kureshtjen.

– “Në qoftë se vendosemi në fshatin Hamallaj të Sukthit, them se do jemi mirë”, – shprehu ai mendimin e tij. – “Domethënë e njihni këtë fshat”? – e pyeta unë.

– “Në fakt fshati shtrihet më poshtë, pranë bregdetit. Kurse ne do vendosemi tek kodrat. I kam bredhur të gjitha në këmbë. Janë kodra të buta e të bukura, me vreshta. Mes tyre ka patur repart të rregullt ushtarak. Kështu që janë ndërtesa e fjetjes me krevatet marinar, kuzhina me pajisjet e saja, ka ujë për të gatuar e pirë, gjendet depo e ushqimeve”.

– “Kjo qenka e mrekullueshme”! – shpreha kënaqësinë time.

– “Duhet ta fiksosh: kompaninë do ta drejtojmë e administrojmë të dy bashkë – theksoi togeri. – Unë nga ana ushtarake, kurse ti do bësh orën politike dhe do merresh me anën ekonomike”.

– “Domethënë do kryej çerek detyre komisari dhe detyrën e plotë të magazinierit”?…

– “Si detyrë tepër e ngutshme për ne, paraqitet gjetja e një kuzhinieri – tha togeri. – E ke dëgjuar shprehjen; ‘me forcat tona’? Që duhet kuptuar: vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta”?

– “E kam një ide në kokë, por nuk jam i sigurt: më duket se dje shefi i sektorit interesohej të dinte, nëse në listën përfundimtare gjendej emri i një ushtari, të cilin ky e kishte për zemër. Kur e pyeta komandant Sulën, pse ky interesim, ky u përgjigj: ushtari në fjalë ka punuar si kuzhinier në Turizmin e Peshkopisë, ndaj shefi s’do ta largojë prej këtu, pa marrë pëlqimin e tij. Mirëpo ushtari e mori vesh ndërhyrjen e shefit të sektorit dhe shkoi drejt tek koloneli, duke iu lutur këtij të transferohet, me shpjegimin se në repartin e ri, ndjehet patjetër nevoja e kuzhinierit, ndërsa këtu ai nuk e ushtron profesionin e tij. Në qoftë se koloneli e ka pranuar këtë kërkesë, them se e kemi zgjidhur këtë problem të rëndësishmesh. Ja ku e ke listën e ushtarëve. Hidhi një sy mos gjen emrin e tij”, – shtoi togeri me ton pritës.

– “Jemi me fat: ndodhet në makinën tonë”! – thash unë i kënaqur.

– “Meqë problemit më të vështirë ia gjetëm zgjidhjen, le të shfrytëzojmë  kohën për ndarjen e detyrave: Sapo të mbërrijmë në repart, do sistemojmë ushtarët në fjetore, sipas listës, që secili të merret me dyshekët e batanijet, dhe të pastrohet mjedisi rrënjësisht jashtë e brenda. Në vazhdim disa ushtarë do caktohen të merren me larjen e shpëlarjen e enëve të kuzhinës, dhe mbushjen e ujit.

Disa të tjerë me pastrimin e banjave. Pjesa që mbetet me pastrimin e territorit, që çdo gjë rreth e qark të shndrisë, pasi pritet të vijnë krejt befas për inspektim, oficerët e FUD-it për të parë si jemi sistemuar. Neve na takon të kryejmë të gjitha punët e këtushme, për të patur për vete kushte sa më të mira. Qe kur të mbërrijnë vëzhguesit, të mos na bëjnë asnjë vërejtje, dhe ne të kemi gojë të interesohemi për furnizimin me ushqime e, për çdo kërkesë tjetër. Kuptohet, njëri nga ne të dy, ti ose unë, do shkojmë në depon qendrore të FUD-it, për të tërhequr bazën e nevojshme…”!

– “Në fillim u takon juve të shkoni, shoku komandant, si oficer dhe drejtues i kompanisë, duke patur parasysh që firma juaj duhet të depozitohet. Disa dite më vonë, pas sistemimit, kur të jem pajisur me autorizim të posaçëm nga komanda e regjimentit, do merrem unë me angaritë e furnizimit, ndërsa ju do përmbushni programin e stërvitjes me ushtarët.

– “Me të mbërritur këtu komisari i regjimentit, para së gjithash do bisedojmë bashkërisht, si do organizohet puna politike, që të mos na dalin keqkuptime nesër. Dhe nesër, në qoftë se rastis të zihen ngushtë drejtuesit e regjimentit, nga shefat e FUD-it, të mos na e hedhin neve fajin, pse nuk jemi interesuar, – tha komandant Aliu. – Me këtë rast, komisari i regjimentit jep dhe miratimin për ty, të dorëzon tematikën e çdo dite të punës politike, fletoren e konspekteve, që të pasqyrosh çështjet dhe pikat kryesore, tamam si veprojnë mësuesit”.

– “Sipas jush, shoku komandant, komisari nuk do shfaqi mëdyshje rreth caktimit tim në rolin e drejtuesit të punës politike”? – e pyeta unë.

– “Mëdyshje?!…Përkundrazi, ai do më përgëzojë mua, që po ia jap të gatshme këtë zgjidhje të përsosur. Na ra për pjesë një fat i mrekullueshëm, që kemi në radhët tona një gazetar të Radios Qendrore, për me tepër drejtues i emisionit të rinisë! Ta dish prej meje: sapo ta marrin vesh ata të FUD-it, kanë për të përlarë”!…

– “Në ç’kuptim”? – u interesova unë.

– “Do të tërheqin në Shtëpinë e Oficerëve, tek vila e ish- Mbretit Zog, në Durrës, dhe do të angazhojnë me detyra të ndryshme. Para së gjithash, sipas hamendjes time, do kërkojnë të bësh reportazhe për Forcat e Armatosura Detare, ku të përshkruash entuziazmin e gatishmërinë revolucionare, se ne jemi shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut dhe Jonit”! – tha me një fryme komandant Aliu, i bindur se kështu do të ndodhte.

Pa kaluar as dy ditë në kodrat e bukura të fshatit Hamallaj (ku e ndjeja veten sikur kisha ardhur në një kamp pushimi mes ajrit te pastër, vreshtave, ujit te bollshëm, dhe qetësisë së thellë, pa ngacmime e trazira të bezdisshme, e sidomos pa klithjet e tmerrshme të kapterit sykuq), njoftuan me radio komandant Aliun, të paraqitem në komandën e FUD-it.

Pavarësisht që togeri mbetej besnik me mijë përqind mendimit të tij, se po ta thërresin për të angazhuar me detyra të rëndësishme, ashtu si e kishte parashikuar ai, unë u pështjellova nga pandehma e frikshme, mos keqdashësit kanë hedhur shashkën e alarmit, duke vënë në lëvizje mekanizmin e Sigurimit, më kanë ngritur kurth që, sapo të mbërrije aty, të më prangosin, me akuzën e rëndë, se kam mashtruar oficerët e Ushtrisë Popullore, jam paraqitur para tyre i veshur me lëkurën e gazetarit, duke fshehur realitetin e sotëm!

Pas dy orëve të njoftimit me radio, vura re të gjarpëronte nëpër rrugën mes vreshtave, një “Gaz”-69 – kinez, në ngjyrën e vajit të lulediellit, i cili më futi dridhmat, sepse me kujtoi “Gaz”-in 69, të asaj mbrëmje, kur arrestuan Fadil Kokomanin në rrugicën e errët para ngrehinës katër kate të Radios. Por i dhashë kurajë e zemër vetes, me arsyetimin që pandehma e frikshme të mbetet pandehmë, ndoshta “Xhip”-i ushtarak s’ka fare lidhje me mua, vjen vetëm për inspektim. Ndaj i thash toger Aliut, të rrijë në gatishmëri pritje.

Ai më pyeti mjaft i shqetësuar, nëse efektivi i kompanisë gjendet aty i pranishëm, mos ndoshta ndonjë kokëkrisur ia ka mbathur drejt fshatit, për të blerë diçka në dyqan. Kjo pyetje na e shumëfishoi ngacmimin e brendshëm, pasi atë çast na u duk krejt e pamundur, të saktësonim praninë qind për qind të efektivit.

Dyshimi i parë më shkoi tek ushtar Halimi, një trupmadh nga fshati Grabian, i cili rrinte pothuaj i vetmuar në kohën e lirë, dhe gjatë këtyre dy ditëve, kisha vënë re se vuante nga një plogështi e theksuar trupore, sepse jo vetëm ecte ngadalë, si njerëzit e pafuqishëm, që kanë lënguar, por nuk i mjaftonin as dhjetë racione, për t’u ngopur! Memorie.al