Një grua 75-vjeçare ka humbur jetën sot rreth orës 06:15 pas një zjarri që shpërtheu në lagjen Krsticinë të Shtërpcës. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, e konfirmoi lajmin për Telegrafin.
Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit nga Shtërpca dhe ekipi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare, të cilët konfirmuan vdekjen e gruas.
“Sot, rreth orës 06:15, kemi pranuar informacionin për një zjarr në lagjen Krsticinë. Pas mbërritjes në vendngjarje, patrulla e policisë ka konstatuar se në dhomën ku kishte shpërthyer zjarri ndodhej trupi i pajetë i një gruaje 75-vjeçare. Ekipet e zjarrfikësve dhe mjekëve kanë konfirmuar vdekjen e viktimës. Po ashtu, janë angazhuar ekipet e hetimit rajonal, forenzikës dhe ekspertëve të zjarrit për të hetuar shkaqet e zjarrit”, tha Veseli.
Ai shtoi se, megjithatë, ende nuk janë të qarta shkaqet që shkaktuan zjarrin, por hetuesit janë duke mbledhur prova dhe informacione për të zbardhur ngjarjen. Viktima, e identifikuar si një grua serbe, shtetase e Kosovës, do t’i nënshtrohet autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.