Ballina Politika Berisha flet për Chris LaCivita: Nuk është oficer fushe, por marshall

Berisha flet për Chris LaCivita: Nuk është oficer fushe, por marshall

55
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët këtë të hënë. Ai u pyet nëse është në komunikim me Chris LaCivita-s që pritet të drejtojë fushatën e selisë blu. Berisha tha se është në komunikim të vazhdueshëm me të dhe se së shpejti përfaqësuesit e firmës së tij do të stacionohen në Tiranë bashkë me ekipin e PD-së.

“Chris LaCivita unë të garantoj që është në aktivitet të plotë dhe unë jam në komunikim vazhdueshëm me bashkë kryestrategun e fitores më të shkëlqyer në historinë e njerëzimit që ishte fitorja e Donald Trump. Të vazhdueshëm, online. Shpejt përfaqësuesi i firmës do të stacionojë këtu me ekipin tonë, ai do të vijë, do të shkojë. Me një fjalë është në aktivitet të plotë. Unë nuk e di pse bëhet kjo pyetje”, tha Berisha.

Kur iu vu në dukje nga gazetarët se nuk e kanë parë LaCivita-n në selinë blu, Berisha u përgjigj kështu. “Ai nuk është oficer fushe, është marshall”, tha ai.

Ndër të tjera, kryedemokrati u shpreh se me programin e saj, PD-ja do të sigurojë nivelin më të ulët të taksave në Europë.

“Për këtë qëllim ne jemi të zotuar të garantojmë konkurrueshmëri të ndershme, me ligj dhe të sigurt. Të garantojmë nivelin më të ulët të taksave në Europë. Të sigurojmë, derregullimin më të madh në interes të biznesit. Të sigurojmë klimën më miqësore dhe kjo jo me fjalë, por me vepra, ligje, vendime konkrete. Në këtë kuadër, do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera, jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitim, zero për biznesin e vogël, do të jetë 18 milionë lekë, apo 500 euro në ditë. Kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë po ashtu në masën 18 mln lekë xhiro vjetore, apo 500 euro në ditë. Ulje nga 15 në 2 % të taksës së shitje së pronës dhe për këtë qëllim krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të referencës”, tha Berisha.