Ballina Kulturë Grupi legjendar britanik njofton daljen në pension, pas performancës së fundit

Grupi legjendar britanik njofton daljen në pension, pas performancës së fundit

37
0

Një nga bandat më ikonike britanike, The Searchers, ka njoftuar tërheqjen nga skena muzikore pas një karriere mbi 60-vjeçare.

Grupi, i formuar në vitet e 60-ta, do të përmbyllë rrugëtimin e tij me një turne lamtumire në Mbretërinë e Bashkuar, duke e mbyllur me një performancë finale në Festivalin Glastonbury këtë verë.

Basisti Frank Allen, 81 vjeç, tha se vendimi u ndikua nga mosha dhe vështirësitë e udhëtimit, duke theksuar se grupi dikur mbante deri në 200 koncerte në vit, por tani turnet janë bërë sfiduese, shkruan DailyMail.

“Ne gjithmonë e kemi dashur performancën, por udhëtimet e gjata po bëhen gjithnjë e më të lodhshme”, tha ai për The Guardian.

John McNally, 83 vjeç, një nga anëtarët themelues, u shpreh entuziast për debutimin e tyre në Glastonbury në këtë fazë të karrierës: “Një debutim në këtë festival në moshën 83-vjeçare? Një mënyrë e jashtëzakonshme për të përmbyllur gjithçka”.

The Searchers janë të njohur për hite si “Sweet For My Sweet”, “Needles and Pins” dhe “Don’t Throw Your Love Away”, duke shitur mbi 50 milionë albume gjatë karrierës së tyre.

Glastonbury këtë vit do të presë gjithashtu yje si Sir Rod Stewart, Neil Young, The 1975 dhe Olivia Rodrigo.

Një burim nga organizatorët la të kuptohet se mund të ketë edhe një surprizë të madhe për publikun.

Me këtë performancë, The Searchers do të lënë një trashëgimi të pasur në historinë e muzikës britanike, duke u përshëndetur me fansat e tyre në një nga skenat më të mëdha të botës.