Ballina Bota Shuhet në moshën 49-vjeçare kongresmenja e parë republikane me ngjyrë

Shuhet në moshën 49-vjeçare kongresmenja e parë republikane me ngjyrë

49
0

Kongresmenja e parë Republikane me ngjyrë, Mia Love, ka ndërruar jetë në moshën 49-vjeçare, në banesën e saj në Utah, pranë familjarëve.

Love ndërroi jetë paqësisht ditën e diel, raporton BBC. Ajo vuante nga kanceri në tru, por sipas të bijës, Abigale, ajo nuk mund t’i përgjigjej më pozitivisht kurimit.

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, përmes një postimi në platfomën “X”, ka shkruar se Love ka frymëzuar përmes guximit, mirësisë, dhe besimit të saj në ëndrrën amerikane.

“Abby dhe unë jemi zemërthyer nga vdekja e shoqes sonë të dashur, Mia Love. Një pioniere e vërtetë dhe një lidere vizionare, Mia ka inspiruar Utah përmes kurajos, mirësisë dhe besimit të palëkundur në ëndrrën amerikane. Trashëgimia e saj lë një ndikim të qëndrueshëm dhe pozitiv në shtetin tonë. Do të na mungojë shumë”, ka shkruar Cox.

Jeta politike e Love ka nisur zyrtarisht në vitin 2003 kur ajo fitoi një vend tek këshilli i qytetit Saratoga Springs, e më pas u bë kryetare e bashkisë, në moshën 34-vjeçare. Në vitin 2014, Love u përzgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA. Ajo hyri në histori si gruaja e parë Republikane me ngjyrë e cila mori këtë rol dhe shërbeu për dy mandate.