Kontrata me studion “Kasowitz Benson Torres’ e firmosur nga kryebashkiaku dhe vëllai i tij Arbër Veliaj është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe parashikon shërbime ligjore në formë këshillash ligjore, mediatike dhe strategjike për procesin gjyqësor.
Avokatët e studios që do të asistojnë Veliajn në këtë proces kanë një pagesë për orë pune që varion nga 500 USD deri në 1950 USD.
Sipas kontratës kjo studio do të marrë përsipër përveç konsulencës ligjore dhe lobim pranë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe degë të tjera të qeverisë amerikane dhe shërbime të marrëdhënieve me publikun në lidhje me qeverinë shqiptare dhe legjislacionin shqiptar.
Një përfaqësues i studios ligjore të kontraktuar nga Veliaj erdhi në Tiranë në fillim të marsit gjatë seancës së Apelit për masën e sigurisë, por ai nuk u lejua të merrte pjesë në seancë për shkak të ndalimeve ligjore që parashikon legjislacioni shqiptar.
Veliaj, bashkëpunëtori i ngushtë i kryeministrit Edi Rama dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës prej vitit 2015, u arrestua nga SPAK më 10 shkurt. Prokuroria e Posaçme, SPAK, thotë se ai dyshohet se ka përfituar përmes familjarëve të vet të afërm apo personalisht, pagesa apo të mira të tjera nga biznesmenë të ndryshëm në nëntë raste.
Veliaj i mohon akuzat dhe pretendon se është shënjestër e një prokurorie të padrejtë.
Pas arrestimit, Veliaj sulmoi përmes disa statuseve në Facebook, prokurorin e çështjes, Ols Dado dhe gjyqtarin Erion Bani, duke pretenduar për persekutim politik. Veliaj publikoi gjithashtu një transkript me përmbajte të pavërtetë, që u vlerësua si një përpjekje për të sfiduar drejtësinë dhe për të diskretituar figurën e prokurorit, nëpërmjet të dhënave të tjetërsuara, që u shpërndanë nga media pranë tij.
Po ashtu, gjatë seancës së vlerësimit të masave së sigurimit, qindra mbështetës të Veliajt protestuan kundër ndalimit të tij. Sipas njoftimeve të atëhershme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe SPAK, protestuesit kishin rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të administratave të këtyre institucioneve, kur ata ishin larguar nga puna./BIRN