Ballina Kronika Lulzim Berisha transferohet në burgun e Durrësit

Lulzim Berisha transferohet në burgun e Durrësit

58
0

Ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha është transferuar në burgun e qytetit bregdetar.

Burimet bëjmë me dije se zhvendosja e tij nga Burgu “313” në Durrës është bërë ditën e shtunë.

Berisha mbërriti në tokën shqiptare nga Spanja, vend ku u arrestua në dhjetor të vitit 2023, në zbatim të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar nga SPAK dhe një vendimi gjyqësor të pazbatuar prej tij.

Një 1 vit e 3 muaj qëndrim në shtetin spanjoll, ku u gjet me një pamje të jashtme të transformuar dhe me një kartë identiteti bullgare false, ish-kreu i bandës së Durrësit bëri një betejë ligjore për mosekstradim në Shqipëri.

Këtë betejë e humbi në shkallën e parë edhe në Apel.

Aktualisht, Lulëzim Berisha ka dy çështje penale mbi shpatulla. Në një proces, ku është i bashkëpandehur me gjashtë të tjerë, përfshi Plaurent Derivshajn dhe Emiliano Shullazin, Berisha po gjykohet si i përfshirë në ekzekutimin e Klodian Saliut, 26 shkurtin e vitit 2005 në aksin Durrës Tiranë. Në të njëjtin hetim, Berisha u dyshua edhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj, çështje që u pushua më pas me kërkesë të SPAK.

Hesapi tjetër me drejtësinë i Berishës janë gati 6 vite burg të pakryera prej tij nga dënimi i marrë si drejtues i bandën e Durrësit, përgjegjëse për disa ngjarje të rënda penale. Si drejtues i bandës, Lulzim Berisha u dënua përjetë në Shkallën e Parë dhe Apelin e Krimeve të Rënda, por Gjykata e Lartë në korrik2014 e zbuti dënimin në 25 vite.

Dy vjet më vonë, pasi kishte kryer gati 19 vite dënim, Apeli i Durrësit pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm dhe lënien në Shërbim Prove.

Një nga dokumentet në të cilat mbështeti pretendimin për lirim  ishte një shkresë e firmosur nga ish-kryebashkiaku i kohës i Durrësit, Vangjush Dako, i cili thoshte se do ta punësonte Berishën në një nga drejtoritë e Bashkisë.

Në dhjetor 2021, teksa Berisha ishte shpallur në kërkim nga drejtësia, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit, duke detyruar kështu rikthimin në qeli të Berishës për vuajtjen e viteve të mbetura të dënimit me burg.