Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, në Euronews Albania, shprehu kritika për një trend të fundit politik, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha shkëmbejnë akuza në distancë përmes videove.
Koka u shpreh i ashpër edhe me Klevis Balliun e PD-së, duke thënë se një video e tij e publikuar kundër kryeministrit Rama ishte shumë amatore dhe skandaloze, dhe nuk duhej të përsëritej si shembull.
Sipas gazetarit, kjo gjë është patetike dhe, sipas tij, përfundimi i PD-së në këtë batak të Ramës është i papranueshëm.
“Kjo është politika e reelsave, por nuk është politika reale, dhe kjo politikë i vlen vetëm një njeriu, i cili ishte Edi Rama. Kam edhe një ftesë publike për Partinë Demokratike që të refuzojë këtë lloj komunikimi, duke nisur nga mospublikimi i videove të ngjashme që publikoi zoti Klevis Balliu’, tha Koka. Ideja mund të jetë shumë e mirë, por realizimi është skandaloz, amator dhe patetik. Gjeja e fundit që i duhet PD-së është që të bjerë në patetizëm.
Unë PD-në nuk e njoh dhe nuk e perceptoj si opozitën e reelsave. E pres si opozitë institucionale dhe alternative, dhe në këtë vend, gjeja e fundit që qytetarët kanë nevojë është të bien në batakun e zotit Rama, i cili sot është më i interesuar ta bëjë këtë politikë sepse i shërben për të zhbërë gjithë dështimet e tij të mëdha dhe për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një imazh të ri, ku ata duhet të mendojnë vetëm për këtë dhe për asgjë tjetër që ka të bëjë me përditshmërinë dhe problemet e tyre”, tha Koka.