Sot bëhen 18 vjet që kur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin thoshte se Kosova duhej të bëhet e pavarur.
Derisa SHBA-të përkrahnin planin e Ahtisaarit dhe mendonin se Kosova duhet të bëhet e pavarur, serbët vazhduan ta kundërshtojnë planin.
Rusia bëri deklarata që mund të interpretohen si kundër pavarësisë, por nuk përmendi përdorimin e vetos, transmeton KosovaPress.
Tri ditë më vonë, më 29 mars 2007, Parlamenti Evropian miraton një rezolutë me 490 vota pro, 80 kundër dhe 87 abstenime, ku shprehej përkrahja për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 minuta, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.