“E tmerrshme ishte hetuesia! Gjithë natën, kur hetuesit merrnin në pyetje të pandehurit, ndiznin radiot me zë të lartë që të mos dëgjoheshin britmat e të burgosurve.”
Koço Dilo ishte një ndër avokatët e paktë në Shqipërinë e viteve të para të diktaturës. Ai ka mbrojtur dhjetëra apo qindra të akuzuar padrejtësisht nga regjimi komunist si “armiq të popullit”. Një ndër ta, ishte edhe Prelë Syku, i cili ka rrëfyer një moment kur si avokat ai mundi të heqë një akuzë. Megjithatë, Prelë Syku u dënua me 20 vjet burg i akuzuar si pjesëmarrës në grupet armiqësore me Abaz Kupin. Ai u dënuar bashkë me vëllezër e të afërm të tjerë të familjes për të nisur një kalvar të gjatë nëpër burgjet e diktaturës. Ai ka rrëfyer birucat ku vuajti hetuesinë për nëntë muaj me radhë, ditët e gjyqit si dhe dënimin e gjatë në burgjet e diktaturës në kushte çnjerëzore.
“Ishin pesëdhjetë biruca të vendosura në formë “L”-je. Ishin komplet beton: as dritare dhe as gjë tjetër. Kishin vetëm një sportel. Atje ku ndodhej llamba elektrike, kishte një rrjet përmes të cilit biruca furnizohej me ajër.
Unë kalova nëntë muaj në birucë. Pas nëntë muajsh, na nxorën në gjyq në Gjykatën e Lartë. Nëntë ditë rresht gjyq. Me dyer të mbyllura. Atë kohë, avokatët i caktonte qeveria dhe ishin formale, se për çështje politike nuk guxonin të të mbronin.
Familjen ndërkohë e kishin lajmëruar, por nuk u lejohej as të më kontaktonin e as të më shihnin, por vetëm silleshin rreth godinës ku zhvillohej gjyqi. Erdhi një avokat dhe më pyeti: “Ti je Prelë Syku?” “Po”, iu përgjigja. “Familja dëshiron që t’jua ndërrojë avokatin,” më tha. “Po mirë, nëse dëshiron familja, nuk jam kundër.” Dhe më tha: “Unë jam Koço Dilo dhe do të jem avokati yt”. Koço Dilo, mbahej si avokati më i përmendur, më i njohur. Koçoja, në të njëjtën kohë, kishte në mbrojtje edhe kryetarin e grupit. Dhe ndër të tjera, në akt-akuzën time, kishin futur edhe akuzën që “Ka pasur lidhje me Abaz Kupin”. Atë moment, Koço Dilo, si avokat, u çua dhe tha: “Po e akuzoni si person apo si familje?” “Si person” – tha prokurori. “Ky ka qenë 12 vjeç atë kohë. Abaz Kupi nuk është marrë me fëmijë. Nëse ju ka ngelur merak, arrestoni kryetarin e familjes,” – tha avokati. Dhe ç’është e vërteta, pas ndërhyrjes së avokatit, ma hoqën këtë akuzë, pra po dënohesha me një nen më pak. Në fund dhanë vendimin: “Koço Kondili me vdekje, Gjergj Simoni 20 vjet, Prelë Syku 20 vjet, Ndue Lek Shyti 20 vjet, Llesh Kolec Baka 15 vjet, Pjetër Kolec Toma 15 vjet, dhe Ndrek Syku vetëm 3 vjet, meqenëse dokumenti i paraqitur në akuzë ishte i falsifikuar, sepse ai nuk kishte as dijeninë për ekzistencën e grupit”, rrëfen Prelë Syku./ Kujto.al