Ballina Europë Macron pret liderët evropianë për samitin e sigurisë në Ukrainë, marrin pjesë...

Macron pret liderët evropianë për samitin e sigurisë në Ukrainë, marrin pjesë 27 krerë shtetesh dhe qeverish

28
0

Presidenti francez, Emmanuel Macron, pret sot liderët evropianë, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, për një samit që synon të rrisë sigurinë ukrainase përpara çdo armëpushimi të mundshëm me Rusinë, për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare.

Takimi kërkon të përcaktojë se cilat garanci sigurie mund t’i ofrojë Evropa Ukrainës pasi të arrihet një marrëveshje armëpushimi, duke përfshirë vendosjen e mundshme të forcave ushtarake nga një i ashtuquajtur “koalicion i të gatshëmve”.

Njëzet e shtatë krerë shtetesh dhe qeverish marrin pjesë në samitin e Parisit, i cili zhvillohet me mbërritjen e tyre në Pallatin Elysee, ku ata u pritën personalisht nga Macron.

Macron do të japë një konferencë shtypi pasdite duke përmbledhur diskutimet ndërsa liderë të tjerë, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, pritet të mbajnë konferencat e tyre.

Anëtari kryesor i NATO-s, Turqia, për shkak të protestave në vend, përfaqësohet nga nënpresidenti Cevdet Yilmaz.

Macron dhe Starmer kanë marrë drejtimin në përpjekjen për të krijuar një përgjigje të koordinuar evropiane për mbrojtjen e Ukrainës, si gjatë konfliktit aktual, ashtu edhe në pasojat e tij eventuale, pasi Donald Trump tronditi botën duke hapur negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë.

Përveç rritjes së forcave të armatosura të Ukrainës, një shtyllë kyçe për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo pushtim të mëtejshëm rus, mund të jetë vendosja e trupave evropiane në Ukrainë, megjithëse, modalitetet e kësaj nuk janë aspak të qarta.

“SHBA po luan një rol udhëheqës duke thirrur bisedimet e armëpushimit”, tha Starmer, ndërsa “Zelensky ka demonstruar angazhimin e tij në mënyrë të përsëritur dhe Evropa po bën pëpjekjet  për të luajtur rolin e saj në mbrojtje të së ardhmes së Ukrainës”.

Por ai paralajmëroi se deri më tani presidenti rus Vladimir Putin “ka treguar se nuk është një lojtar serioz në këto bisedime paqeje” dhe se “premtimet e tij janë të zbrazëta” për çdo armëpushim eventual me Ukrainën.

Zelensky tha se ai priste “vendime të forta” nga takimi i së enjtes, duke shtuar se “Moska nuk kupton asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës së forcës”.

Ndërsa tensioni midis Uashingtonit dhe Moskës vazhdon nën Trump, ambasadori i ri rus në SHBA, diplomati veteran Alexander Darchiev, mbërriti në Uashington të mërkurën, duke përshëndetur një “dritare mundësie” për të dy vendet.

Dhe pavarësisht shkëmbimeve diplomatike të javëve të fundit, ushtria e Koresë së Jugut tha të enjten se Pheniani kishte vendosur 3,000 trupa shtesë në Rusi këtë vit si “përforcime” – përveç 11,000 të dërguarve tashmë.