Ballina Rajoni Serbia e cilëson si “akt armiqësor” njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga...

Serbia e cilëson si “akt armiqësor” njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga Kenia

25
0

Serbia e ka konsideruar një “akt armiqësor” njohjen e Kosovës nga Kenia dhe ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij akti.

“Veprimi i Kenias për ta njohur shtetin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Ministria e Jashtme e Serbisë në një reagim.

Serbia po ashtu pretendon se me këtë veprim, Kenia “e ka shkelur edhe Kartën e OKB-së”. Kjo njohje, sipas Beogradit zyrtar “minon gjithashtu përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar”.

Serbisë i ka bërë përshtypje edhe fakti që Kenia i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si “të pabazuar”.

Në reagim po ashtu u tha se vendimi i Kenias do të ndikojë në marrëdhëniet e këtij shteti me Serbinë.

Serbia në përfundim të reagimit pretendon se në tetë vitet e fundit “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e pavarësisë” së Kosovës, dhe se vetëm “dy shtete të reja e kanë njohur”.

“Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë. Serbia mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”, thuhet në fund të këtij reagimi.