Ballina Dossier “Vetëm të çmendurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipërinë e Enver Hoxhës’…”/...

“Vetëm të çmendurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipërinë e Enver Hoxhës’…”/ Aventura e reporterit turk, në 1980-ën!

26
0

‘National Geographic’, realizoi në numrin e tetorit 1980, një reportazh në Shqipërinë e izoluar prej regjimit komunist. Plot 36 vjet më vonë, ky shkrim i gazetarit turk, Mehmet Biber, zbulon kureshti që kanë nisur të mbulohen nga pluhuri i viteve…! “Të realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkatërrojmë bllokadën”, dikton kjo tabelë në qytetin shqiptar të Shkodrës, por izolimi i Shqipërisë nga bota është rezultat i politikës së brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike aneksuese ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecë e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës, dominojnë skenat publike. Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron “revizionist”, në 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës, dy vjet më parë. Rruga e vetëmjaftueshmërisë është shpesh një rrugë e vështirë.

Automobilat privatë janë të ndaluar, kështu që shqiptarët udhëtojnë me biçikleta. Vizitat nga gazetarët janë të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, një fotograf turk që jetonte në Stamboll në atë kohë, mori një vizë vetëm disa muaj, pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit, kishte vizituar vendin. Nga bisedat me z. Kohen dhe nga përvojat e tij, z. Biber solli të parin raport të plotë nga Shqipëria, që shfaqet në një revistë amerikane pas shumë vjetësh.

Aeroplani fluturoi në jug nga Jugosllavia mbi Adriatikun me ngjyrë kobalti, u kthye 90 gradë dhe u drejtua nga toka drejt Shqipërisë. Në antikitet, legjionet e Romës duke zbritur Rrugën Apiane për në Brindizi, në takën e Italisë dhe duke kaluar Ngushticën e Otrantos mbërritën këtu dhe marshuan në lindje në rrugëkalimin e madh ushtarak për në Selanik dhe Kostandinopojë. Gotët dhe Normanët i pushtuan. Perandoritë Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Venedikase i ndihmuan. Pas kësaj, Turqit Otomanë udhëhoqën për pothuajse pesë shekuj dhe e bënë Shqipërinë të vetmin vend me shumicë Myslimane në Europë. Më pas erdhën ushtritë e Musolinit dhe Hitlerit.

Sot asnjë autostradë ndërkombëtare nuk kalon nëpër Shqipëri. 300 kilometrat (185 milje) e saj të hekurudhës nuk kalojnë asnjë kufi. Asnjë aeroplan i huaj nuk lejohet të kalojë në hapësirën e saj ajrore. Fluturimet komerciale, si fluturimi ynë gjysmak i përdyjavshëm nga Beogradi, ku duhet të kalonin nga drejtimi i detit dhe vetëm gjatë orëve të ditës.

Pashë përreth kabinës njëzetëshen e bashkudhëtarëve: një grua e moshuar, një diplomat, një profesor austriak i gjuhës shqipe (e lidhur pak me gjuhët e tjera Europiane) dhe biznesmenë që vinin të blinin minerale, ose të shisnin makineri. Si u përshtatesha unë udhëzimeve për vizitorët të vendosur nga diktatori i Shqipërisë, kryetari i Partisë Komuniste, Enver Hoxha? Ai e kishte shpallur vendin e tij “të mbyllur ndaj armiqve, spiunëve, hipive dhe huliganëve, por të hapur ndaj miqve (marksistë ose jo-marksistë), revolucionarëve dhe demokratëve progresivë, ndaj turistëve të sinqertë… të cilët nuk ndërhyjnë në çështjet tona.”

Më me vend ishte komenti i një agjenti udhëtimesh: “Vetëm të çmendurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipëri”. Unë isha një gazetar turk dhe kisha pritur pothuajse një vit që të më miratohej kërkesa për vizë. Ne kaluam mbi plazh dhe rrafshinën bregdetare afër Durrësit dhe pamë, përtej kodrave me tarraca, një vijë të dhëmbëzuar majash të mjegulluara që përshkonte horizontin, si një elektro-kardiogramë gjigante.

Pyesja veten se çfarë do të gjeja në këtë komb të vogël prej 2.7 milionë njerëzish, në madhësinë e Marilandit, me më pak banorë, dhe po aq pak të njohur sa Tibeti! Me mijëvjeçarë pasardhësit e fiseve antike, të njohur si Ilirë, janë kapur fort pas tokës më të ashpër në Ballkan (që përkthehet ‘male’ në turqisht). Midis majave që ngrihen deri në 2764 metra (9068 këmbë), ata ndoqën një kod nderi klanor të rreptë që shfarosi familje të tëra nëpërmjet gjakmarrjeve që zgjasnin me breza.

Sot kjo “Tokë e Shqiponjave” është krejtësisht e kolektivizuar. E fundit fortesë e Stalinizmit, ky është vendi komunist më dogmatik i Europës, i shtrënguar në darën e një lideri që e ka kthyer kombin më të prapambetur të kontinentit nga hiri i Luftës së Dytë Botërore në një shtysë drejt modernizimit, nga plugu te traktori, nga zejtaria dhe kandili, te fabrikat dhe dinamoja.

Këtu do të gjeja një eksperiment social të pazakontë: një gjeneratë të tërë që rritet e kyçur në një laborator socialist të veçuar, duke sfiduar botën, e vetizoluar, e “pa ndotur” nga Lindja ose Perëndimi. Pavetëdijshëm fërkova mjekrën time, dhe u tremba nga perceptimi i beftë se mund ta humbisja! Shqipëria ua ndalon hyrjen meshkujve me flokë të gjata ose mjekra, dhe femrave me funde të shkurtra, pantallona të gjera, dhe shfaqjeve të tjera të dekadencës borgjeze. Ka me bollëk histori të vizitorëve fatkeq, të cilët dërgohen te berberi i aeroportit, për t’u qethur.

Por ushtari që më takoi te dera e aeroplanit ishte më i përqendruar te pasaporta ime, sesa te mjekra ime, dhe unë zbrita në diellin e pasdites të një dite shtatori, në një nga aeroportet më të vogla dhe më të përgjumura të Europës, që i bënin hije palma dhe portokalle plot me fruta. Kopi Kyçyky, më përshëndeti në turqisht. Një anëtar i komitetit mikpritës të Ministrisë së Jashtme, ai i sillte çdo mëngjes planin e ditës guidë-përkthyesit tim. Tani më solli ekspres, formalitetet e përshpejtuara dhe më shoqëroi në një “Fiat” polak për xhiron 30-minutëshe për në Tiranë, kryeqytetin e vendit. Përgjatë rrugës, brigada fshatarësh pushuan së punuari në fusha. Por hasëm pak trafik në rrugë.

Polic trafiku pa trafik

Jeta në Tiranë vërtitet rreth sheshit “Skënderbej”, me monumentin e tij të heroit të shekullit të 15-të që luftoi kundër Perandorisë Osmane. Pallati modern i Kulturës, sheh nga ai, ashtu si dhe disa ndërtesa mbretërore të Mbretit Zog, i cili sundoi në fundin e viteve 1920 dhe 1930. Një nga ato tani shërben për zyrat e revistës satirike “Hosteni”; një tjetër, ndërtesa e vjetër e Parlamentit, është kthyer në një teatër kukullash për fëmijët.

Për një kilometër nga sheshi “Skënderbej”, në sheshin e Universitetit shtrihet Bulevardi i “Dëshmorët e Kombit”, rrethuar nga statuja gjigante të Leninit dhe Stalinit, shtabi i përgjithshëm i Partisë Komuniste, ministritë kryesore, dhe stadiumi i futbollit. Paradite herët, sheshi duket i braktisur: një makinë zyrtare, një automjet ushtarak, një autobus, disa biçikleta, disa gra të moshuara që enden rrugës. Prapëseprapë, në qendër të sheshit, qëndronte një polic i cili drejtonte në mënyrë solemne trafikun.

Shqipëria nuk i lejon makinat private dhe kryeqyteti i saj ka vetëm 20 taksi, të gjitha pronë shtetërore. Shumica ishin të rreshtuara afër sheshit. Shqiptarët rrallë i përdorin. Ndaluam para Hotel “Dajti”-t, ndërtuar nga italianët në fillim të vitit 1940, kur rruga quhej “Viale Savoia”. Është një nga dy hotelet e Tiranës për të huajt dhe vendasit nuk mund të akomodohen në të.

Dhoma ime me ballkon ishte e dekoruar me një qilim të bukur. Poshtë në dyqanin e dhuratave, një qilim i tillë shitet për 20 dollarë metri katror, në monedhë të huaj. Kontrollova dhomën e televizorit – vetëm programet vendase mund të transmetoheshin. Studiova publikimet e shtypit të shpërndara në një tavolinë në hollin e madh dhe ndala para një ekspozite publikimesh: revista “Shqipëria e Re”; “Zëri i Popullit”, (gazeta e partisë); dhe një pjesë të të përditshmeve shqiptare, të gjitha të ngjashme në përmbajtje. Botime të librave të Enver Hoxhës të disponueshme në disa gjuhë – por asnjë gazetë, revistë apo libër i huaj. Ishte sikur bota e jashtme të mos ekzistonte.

Duke dalë nga hoteli në muzg, u ktheva në sheshin “Skënderbej”. Çfarë ndryshimi! Dukej sikur gjysma e 200,000 banorëve të Tiranës, ishin mbledhur aty pas pune. Disa shëtisnin në shëtitoret përgjatë Bulevardit “Stalin”, të tjerë bisedonin në grupe të vogla ose mblidheshin rreth kioskave për të blerë cigare shqiptare, pije freskuese dhe gazeta. Të rinj e të reja flirtonin. Prindërit derdheshin për në Pallatin e Kulturës për një koncert, shfaqje ose ekspozitë, ndërkohë që studentët dyndeshin në Bibliotekën Kombëtare. Dhe në mes të kaosit të autobusëve, biçikletave dhe kalimtarëve të sheshit, polici mbikëqyrte rreptësisht trafikun me bilbilin e tij. Për rreth dy orë, zemra e Tiranës pulsonte nga jeta, pastaj ra sërish në heshtje. Edhe polici i trafikut, kishte shkuar në shtëpi.

Kombi shkelmon gjigantët “Revizionistë”

Mëngjesin tjetër Bashkim Babani, guidë-përkthyesi im, një burrë i hollë në mes të të tridhjetave, më çoi në Pallatin e Kulturës. Shqiptarët janë krenarë për këtë ndërtesë, e nisur nga Rusët dhe e lënë e papërfunduar, kur ata u larguan nga Shqipëria në vitin 1961, si rezultat i një ndarjeje ideologjike. Guida ime tha: “Revizionistët dhe imperialistët sovjetikë, ndërprenë gjithë ndihmat ndaj nesh dhe na vendosën një bllokadë ekonomike, duke menduar se së shpejti do të shkatërroheshim. Por ne mobilizuam forcat tona dhe e përfunduam këtë ndërtesë. Sot qëndron si simbol i triumfit tonë”.

Pas ndarjes me “tradhtarët e grupit të Hrushovit”, Hoxha u kthye nga kundërshtari i Bashkimit Sovjetik, me Mao Ce Dun-in e Kinës. Shqipëria u bë mikja më e afërt e Kinës, përkrahësja e saj në Kombet e Bashkuara, dhe mori ndërmjet një dhe dy bilion dollar, ndihmë ekonomike dhe ushtarake. Kjo zgjati deri më 1978, kur rivendosja e marrëdhënieve miqësore të Kinës me Shtetet e Bashkuara “imperialiste” dhe Jugosllavinë “revizioniste”, solli prishjen e “miqësisë së përjetshme”. Duke pretenduar se arrinte të nuhaste “pabesinë… e atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën”, në ‘buzëqeshjet hipokrite’ të ndjekësve të Maos, Shqipëria tanimë mbeti kalaja e vetme e “Marksizëm-Leninizmit të vërtetë”.

Nga do kthehej Shqipëria kësaj here?

Nga Tirana deri në fshatin më të vogël, në rrugë, mbi ndërtesa, në fabrika, shkolla dhe ferma, slogane shpallnin përgjigjen.
Një parullë në sheshin “Skënderbej”, shkruante: “Pa asnjë ndihmë dhe pa asnjë kredi nga jashtë, të mbështetemi tërësisht në forcat tona”. Mbi bashkinë e vjetër: “Të thyejmë bllokadën dhe rrethimin e imperializmit dhe revizionizmit”. Sipër zyrës së Kryeministrit: “Rroftë pushteti popullor”. Një klasë e gjuhëve të huaja, studion sloganin e Hoxhës në dërrasë të zezë në anglisht: “Të ndërtojmë socializmin, me kazmën në njërën dorë dhe në tjetrën pushkën”. Duke sfiduar botën – duke e parë veten kundër Kinës gjigante dhe e kërcënuar nga BRSS-ja dhe satelitët e saj të Bllokut Lindor; e frikësuar dhe dyshuese ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë fqinje dhe Perëndimit – Shqipëria lilipute do t’ia dalë vetëm.

Si mund ta bëjë këtë?

Duke mobilizuar prodhimin. Fabrikat shpesh punojnë 3 turne, që t’i përdorin makineritë 24 orë në ditë. Pashë traktorë të punonin fushat me fenerë, dhe pastaj të shkonin me kamionë gjatë natës, në një tjetër kooperativë bujqësore, për plugimin e mëngjesit. Si pjesë e këtij ‘revolucioni teknik’, disa inxhinierë, teknikë dhe punëtorë i shtojnë disa orë punë ditës së tyre 8-orëshe. “A paguheni për orët ekstra”? Pyetja iu bë një punëtori në një fabrikë të Tiranës, ku prodhohen pjesë rezervë për kamionë dhe traktorë.

“Jo, ne nuk e kërkojmë një gjë të tillë. Ne bëjmë punë vullnetare, sepse besojmë se kjo punë është rruga për të çarë bllokadën. Ky shpirt revolucionar, do të na udhëheqë drejt fitores”! Mark Toma doli në pension tre vjet më parë, në moshën 60-vjeçare. Por tani është kthyer në të njëjtën fabrikë.
“Jemi të bashkuar nën këtë qëllim, të kontribuojmë që ta bëjmë ekonominë tonë vetë-sufiçiente. Unë jam ende i fortë. Unë nuk mund të rri duarkryq kur i gjithë kombi lufton.” A paguhej ai?

“Unë tashmë e marr pensionin tim”!

Nëpunës civilë, studentë, edhe zyrtarë partie dhe diplomatë, bënin të paktën një muaj punë në vit, në fabrika ose ferma.
Brigadat e punëtorëve konkurrojnë që të tejkalojnë kuotat e prodhimtarisë. Kjo sjell shpërblim në medalje dhe ditë ekstra pushimesh në një kamp pushimi. Tabelat e lajmërimeve janë plot me fletë-rrufe, me qëllim që të përmirësohet morali dhe prodhimtaria nëpërmjet ‘vetëkritikës’. Në Uzinën “Enver Hoxha” në Tiranë, kolegut tim, Sami Kohen, iu tregua me krenari traktori i parë i bërë në Shqipëri. Kur kinezët ndërprenë ndihmën, ata lanë këtë uzinë, një digë hidrocentrali, minierat dhe projekte të tjera të mëdha të papërfunduara.

“Teknikët kinezë madje morën gjithë planet”- tha i i inatosur drejtori. “Pastaj u përpoqën të sabotojnë fabrikën, duke refuzuar që të sillnin pjesët e nevojshme të makinerive. Por ne e përfunduam fabrikën dhe i morëm makineritë dhe pjesët nga vendet e tjera. Jo si ndihmë e huaj, ose si kredi. Patëm mjaftueshëm nga kjo ndihmë nga rusët dhe kinezët. Nëse na nevojitet diçka, e blejmë nga një vend tjetër – me para. Ose e shkëmbejmë. Në këtë mënyrë, ruajmë pavarësinë tonë”. Në fakt, Kushtetuta shqiptare e 1976-s, i ndalon marrëveshjet kreditore, duke mos i lejuar kreditë bankare nga Lindja ose Perëndimi.

Të jetosh mirë, shqiptarçe

Shumë pak vende të tjera, do ta kishin zgjedhur këtë rrugë të vështirë drejt zhvillimit. Por Shqipëria udhëhiqet me një dorë të hekurt. Dhe shqiptarët janë mësuar me privimet. Vështirësitë e tërmeteve dhe përmbytjeve, ndoqën tmerret e luftës. Kur rusët u tërhoqën, thatësira të rënda rritën spektrin e vdekjes nga uria; shumë komoditete u kufizuan. Sot, megjithëse Shqipëria është larg të qenit e begatë, nuk ka mungesa të theksuara dhe racionim.

Njerëzit janë të veshur thjesht, por asnjë nuk është në rrecka. Familjet jetojnë në apartamente ose shtëpi të vogla, të mobiluara varfërisht, sipas standardeve perëndimore. Por krahasuar me mjerimin e djeshëm, shqiptarët nuk kanë dyshime se sot janë më mirë. Dhe ata krenohen me vullnetin e tyre, për të mbijetuar sipas kushteve të tyre: “Preferojmë të hamë bar, nëse duhet. Nuk do t’ua zgjasim kurrë dorën imperialistëve”.

“Kemi përjetuar ditë të vështira”, – 71-vjeçari Kristo Teodori, i tha Sami Kohenit, në një vizitë në një kooperativë në Finiq, në Jug të Shqipërisë, “Kam kaluar rininë time në mjerim, në këto fusha. Punoja shumë për pronarin e tokës, por mezi arrija të fitoja mjaftueshëm për të jetuar. Sot, falë Enver Hoxhës, jetojmë mirë”. Plaku ndan një shtëpi me tre dhoma, me djalin e tij, Jorgon, 47-vjeçar, nusen e tij dhe motrën e saj. Duke pirë kafe turke dhe konjak, ai tha që; “kooperativa sot përfshin 17 fshatra me 8.000 banorë dhe 3.400 hektarë tokë, që prodhon grurë, misër, oriz, pambuk, perime, fruta, derra dhe lopë. Para “çlirimit”, kjo ishte 80% kënetë.

Toka i përket shtetit; shtëpitë, veglat dhe farat, të gjitha i përkasin kooperativës, dhe çdo fermer merr një pjesë të prodhimit. Shitjet e tepricave ndihmojnë për mirëmbajtjen e një qendre mjekësore, shkollave, dyqaneve, një teatri, dhe e hapësirave sportive. Tre anëtarët e familjes që punojnë, fitojnë mjaftueshëm për gjërat bazike, kështu që Kristo Teodori, mund të shpenzojë një pjesë të pensionit të tij prej 420 lekësh (85 dollarë) për konjak dhe cigare. “Unë e quaj ‘Bonusi i Enver Hoxhës’”.

Regjimi i Hoxhës e shpalli reformën agrare në 1945-n, duke ua marrë tokën pronarëve dhe duke ua shpërndarë fshatarëve. Kolektivizimi u përfundua në 1960-n. Rezultatet: lugina të kulluara dhe të kontrolluara nga përmbytjet, ferma të ujitura dhe tarraca në faqet e kodrave. Tokat e punueshme të Shqipërisë malore, dikur një 10 përqindësh i pamjaftueshëm, janë dyfishuar, malaria është zhdukur, shërbimet shëndetësore dhe sociale janë përmirësuar ndjeshëm. Katër dekada më parë, shqiptarët mund të prisnin të jetonin deri në 38 vjeç. Sot jetëgjatësia e tyre është rritur në 68 vjeç.

Në sfidën e saj ndaj botës, Shqipëria gjithashtu mund të mbështetet në burimet e saj minerale dhe energjetike. Pas Afrikës së Jugut dhe Bashkimit Sovjetik, Shqipëria renditet e treta në prodhimin e kromit. E limituar në nevoja, është vetë-sufiçiente në energji – naftë, qymyr dhe energji hidroelektrike e bollshme, nga digat e lumenjve. Pashë linja elektrike, në të gjitha anët e vendit. Katundet malore janë elektrifikuar, madje Shqipëria i shet teprica energjie Jugosllavisë dhe Greqisë fqinje.

Produkte industriale, minerale dhe agrare, mbushin ekspozitën “Shqipëria Sot” në Tiranë. “Çdo gjë këtu është produkt i punës dhe sakrificës tonë” – thotë Hysen Vaqarri, drejtori i ekspozitës. “Ne madje prodhojmë mjaftueshëm ushqim dhe për eksport. As kriza botërore energjetike, nuk ndikon te ne. Ne prodhojmë gjithçka, nga radiot te enët e kuzhinës. E bëjmë të gjithën këtë me forcat tona – pa mbështetje të jashtme”!

Janë aq të vendosur në vetë mbështetjen e tyre, sa Shqipëria shmangu ndihmat nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, kur një tërmet shkatërroi rajonin e Shkodrës në Veriun e Shqipërisë, në Prill të 1979-s. Gjatë gjithë Shqipërisë, pashë studentë, meshkuj dhe femra, që ndërtonin rrugë, shtëpi, punonin në ara dhe në fabrika. Sistemi hekurudhor i Shqipërisë, po zgjatet drejt Veriut, kryesisht nëpërmjet punës studentore. “Kjo punë fizikë na lejon neve studentëve, të njohim më mirë vendin dhe popullin tonë, të rrisim dijet tona praktike, të ndajmë edukimin tonë teorik dhe na lejon që të ndërtojmë socializmin”!

Kështu u shprehën Gjergj Murra, Bashkim Çami, Zeliha Kraja, studentë historie në Universitetin Shtetëror në Tiranë. Përveç gjashtë orëve mësim në ditë, ata bëjnë dhe një ditë të plotë trajnim ushtarak në javë.

– “Çfarë bëni pas mësimit”?

– “Studiojmë leksionet e ditës”.

– “Dhe në kohën tuaj të lirë”?

– “Shëtisim… shkojmë në teatër ose kinema… dëgjojmë muzikë klasike.”

Kurset zgjasin tetë muaj. Më pas, përveç muajit të punës fizike për studentët, ka një muaj shërbim ushtarak, për vajzat ashtu si dhe për djemtë. Të gjithë maturantët duhet të shërbejnë një vit në një fermë ose fabrikë para se të fillojnë punë ose të hyjnë në universitet.

“Dhe pas diplomimit”? “Një vit praktikë para se të fillosh punë. Një i diplomuar në mjekësi shërben në një spital. Në inxhinier në një fabrikë. Të diplomuarit në filozofi ose gjuhësi zakonisht japin mësim. Administratorët e universiteteve thonë se 80% e popullsisë ishte analfabete në 1938-n; sot 80% mund të lexojnë dhe të shkruajnë. Universiteti filloi në 1957-n me 3,600 studentë. Sot janë 16,000 të regjistruar në shtatë fakultete: inxhinieri, shkenca politike, gjeologji, histori, ekonomi, mjekësi dhe shkenca natyrore”. Por jo shkollë drejtësie. Pse jo?

“Sistemi ynë nuk ka nevojë për avokatë,” erdhi përgjigja. “Qytetarët tanë nuk kanë nevojën e një personi të tretë që t’i mbrojë. Gjykatësit e Gjykatës Popullore, të zgjedhur nga populli, i marrin të drejtat e tyre në konsideratë.”
Në mënyrë ogurzezë, Ministria e Drejtësisë u zhduk në një nga reformat e shumta administrative të Enver Hoxhës./ Memorie.al