Ballina Aktualitet Flamingot rikthehen në Lagunën e Nartës, duke i shtuar hijeshinë zonës

Flamingot rikthehen në Lagunën e Nartës, duke i shtuar hijeshinë zonës

27
0

Laguna e Nartës është pushtuar nga hijeshia e flamingove, këto shpendë magjepsës që e bëjnë peisazhin edhe më tërheqës. Gjatë kësaj periudhe, numri i tyre rritet ndjeshëm, duke krijuar një spektakël të rrallë për vizitorët dhe dashamirësit e natyrës.

Edhe pse flamingot janë të pranishëm gjatë gjithë vitit, pranvera sjell një përqendrim më të madh të tyre, falë kushteve të favorshme atmosferike dhe bollëkut të ushqimit.

Fundjava në Lagunën e Nartës është kthyer në një skenë natyrore mahnitëse, ku qindra flamingo vallëzojnë mbi ujë, duke i dhënë një tjetër dimension bukurie këtij ekosistemi unik. Prania e tyre i shton hijeshi edhe një prej atraksioneve më të veçanta të Vlorës, Manastirit të Zvërnecit, duke krijuar një kombinim të përsosur mes historisë dhe natyrës.

Përveç flamingove, Laguna e Nartës është strehë edhe për specie të tjera të rralla si Pelikani Kacurrel dhe Çafkat, duke e bërë këtë vend një perlë të vërtetë të biodiversitetit shqiptar. Laguna e Nartës vlerësohet nga biologët si ndër zonat natyrore të paprekura të Evropës.