Nga Lush Culaj
Puna për caktimin e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë nisi me krijimin e Zonës Neutrale të Junikut. Intervenimet e shumta të Ushtrisë jugosllave në territorin e Shqipërisë dhe sulmi grek në jug të vendit nga ana e tjetër, përbënin një rrezik permanent për shtetin shqiptar, i cili ishte në konstitutim e sipër, sikundër që edhe në aspektin ekonomik e dëmtuan shumë. Për t’i shmangur konfliktët e përmasave më të gjera, Fuqitë e Mëdha vendosën që të formohet Zona Neutrale e Junikut, e cila qëndroi si e tillë në vitet 1921-1923.
Ajo ishte një zonë damarkacioni në vijat e kufirit shqiptaro-jugosllav. Shtrirja gjeografike e kësaj zone ishte nga Qafa e Morinës deri në lumin Bistricë dhe në grykën e Deçanit. Fshatrat më të rëndësishme që i takonin kësaj zone ishin: Juniku, Mulliqi, Batusha, Brovina, Ponosheci, Shishmani, Popoci, Kosharja dhe Babajt e Bokës.
Mbretëria jugosllave ishte kundër krijimit të zonës neutrale në kufirin me Shqipërinë. Qeveria e Beogradit konsideronte se Konferenca e Ambasadorëve mori vendim mbi krijimin e kësaj zone nën presionin e Italisë dhe prandaj këtë zonë e konsideronte si “shtatanik të Konferencës së Ambasadorëve”.
Autoritetet jugosllave e çmonin këtë zonë si rrezik për shkak se në të jetonin dhe vepronin çetat kryengritëse shqiptare kundër sundimit jugosllav. Krijimi i kësaj zone i dha mundësi edhe Komitetit të Kosovës që të angazhohej maksimalisht për t’i jetësuar qëllimet e tij. Rrezikun më të madh, sipas mendimit të autoriteteve jugosllave, e përbënte Bajram Curri, për të cilin autoritetet policore dhe ushtarake përpiqeshin të grumbullonin sistematikisht të dhëna, qoftë lidhur më të, qoftë lidhur me lëvizjën e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërm. Si bashkëpunëtorë më të ngushtë të Bajram Currit, autoritetet jugosllave i konsideronin: Hasan Prishtinën, kapiten Zefin (duket se është fjala për Zefin e Vogël-vër. L. Culaj) dhe major Hysni Currin.
Angazhimi i Bajram Currit në kryengritjen e marsit 1922 ndikoi sado kudo në rënien e lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Ishte ky një synim për ta rrëzuar me forcë Qeverinë e Tiranës, por forcat kryengritëse të Bajram Currit nuk arritën dot deri në Shkodër, ku edhe e kishin objektivin. Shtypi evropian i asaj kohe shkruante se opinioni publik ishte i tëri kundër rrugës jokushtetuese që po ndiqte Bajram Curri dhe ai, si patriot i vërtetë që ishte, u terhoq pa shkaktuar gjakderdhje. Shmangia e gjakderdhjes u mirëprit nga pjesa dërrmuese e popullit dhe nga kjo përfitoi Ahmet Zogu, reputacioni i të cilit u ngrit në një shkallë më të lartë. Nga Qeveria u krijua një gjyq ushtarak special për ndjekjen penale të kundërshtarëve qeveritarë. Kundërthëniet ndërmjet nacionalistëve kosovarë dhe Qeverisë shqiptare u ashpërsuan edhe më shumë. Nga ky shkak Bajram Curri dhe shumica e luftëtarëve të çetave të Kosovës në përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisë ishin të ndjekur nga Qeveria shqiptare e Tiranës, pothuaj aq sa edhe nga Qeveria e Beogradit. Në vitin 1922 konsiderohej se në Zonën Neutrale të Junikut numri i të arratisurve ishte mbi 2.000 vetë.
Informacionët që i marrin përfaqësuesit jugosllavë nga të besuarit e tyre, të cilët ofronin direktiva se duheshin bërë përpjekje që Bajram Curri me shokë të likuidohej sa më parë. Nga fundi i vitit 1921 Komiteti i Kosovës forcohet aq shumë sa Qeveria shqiptare e Lushnjës, në shumë raste dhe rethana gjendej nën ndikimin direkt të Komitetit të Kosovës. Megjithatë, nuk shkoi kohë e gjatë dhe kjo qeveri u rrëzua nga Ahmet Zogu, me ç’rast pasuesit e ish-qeverisë dhe të Komitetit të Kosovës e fillojnë luftën kundër qeverisë së re. Në rrethanat e krijuara, Qeveria e Zogut nisi përndjekjen e anëtarëve të Komitetit të Kosovës, të cilët, sipas autoriteteve jugosllave, nuk vepronin në mënyrë gjithaq unike. Sipas informacioneve të atyre ditëve, theksohet se Bajram Curri, një ndër anëtarët më të besueshëm të Komitetit të Kosovës, ishte tërhiqur në mal së bashku më shokë dhe lëvizte afër zonës kufitare jugosllave. Një ndër informatat e shumta të Qeverisë jugosllave ishte se Bajram Curri dhe Hasan Prishtina kalonin herë pas here në Bullgari që të merrnin topa dhe mitraloza kundër Ushtrisë jugosllave. Marrja e informacioneve të tilla nga autoritetet jugosllave shpeshherë pretendohej që të shfrytëzohej për interesat saj, megjithëse e dinin se ato informata nuk ishin të vërteta.
Pikëpamjet e nacionalistëve shqiptarë që problemi kombëtar në instancë të fundit të zgjidhej përmes luftës për qeveritarët shqiptarë ishte një politikë iluzore apo një aventurë politike. Rrymat e tilla niseshin nga parimi se Shqipëria si shtet i vogël dhe i paqëndrueshëm, duhej që ta ruante neutralitetin dhe të ndiqte politikë miqësie me të gjitha shtetet. Besimi i tyre për dallim nga nacionalistët ishte që Shqipëria e kufijve politikë mund ta ndërtonte një sistem të qëndrueshëm politik dhe të zhvillohej ekonomikisht. Duke u nisur nga këto divergjenca të theksuara rreth çështjes kombëtare, për politikanët qeveritarë të Tiranës të viteve 20 ishte më i përshtatshëm Nexhip Draga si politikan i moderuar sesa, p. sh., Hasan Prishtina dhe Bajram Curri si politikanë të pakompromis për çështjen e Kosovës. Divergjencat ndërmjet dy grupimeve politike u thelluan aq shumë sa në disa raste ishin të pakalueshme.
Fillet e kundërthënieve në raportet ndërmjet dy grupimeve politike ishin edhe më të hershme, por ato u vërejtën qartazi me rastin e themelimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, më 7 dhjetor 1921. U trumbetua shumë për jokushtetushmërinë e këtij kabineti, apo për luftën për pushtet, ndërmjet forcave të ndryshme, por irritimi më i madh ishte se Hasan Prishtina ishte anëtar i Komitetit të Kosovës, që aludonte në vazhdimin e luftës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, “në një periudhë kohore të cilën shumica e shqiptarëve e konsideronin të parakohshme dhe të pamundur për momentin vazhdimin e këtij kursi, që do të sillte ndoshta edhe shkatërrimin e Shqipërisë.” Për ta shmangur gjakderdhjen, kabineti i Hasan Prishtinës dha dorëheqje më 12 dhjetor 1921, sepse u krijua një situatë e rrezikshme.
Qysh më 10 janar 1922, pas ngjarjeve të dhjetorit 1921, disa deputetë opozitarë iu drejtuan me një letër Bajram Currit, përmes së cilës e informonin mbi ngjarjet e dhjetorit 1921 të zhvilluara në Tiranë dhe i kërkonin mendime për rrugët e stabilizimit të gjendjes. Njëkohësisht, duke shprehur besimin e tyre te Bajram Curri, i shkruanin se vetëm ai me popullin mund ta përmbyste situatën dhe ta rrëzonte Qeverinë e Xh. Ypit. Te personi i tij, që ishte në krye të malësorëve, shikonin një faktor të rëndësishëm për sigurimin e suksesit të lëvizjes antiqeveritare.
Qeveria, nga ana e saj, i kushtoi një rëndësi të posaçme shtypjes së kryengritjës së marsit të vitit 1922. Në kuadër të kësaj, një rëndësi të veçantë e kishte plani për ndjekjen sistematike dhe në fund edhe asgjësimin e lëvizjes së organizuar nga Bajram Curri në Malësinë e Gjakovës dhe të Hasit. Planet për shtypjen e malësorëve të veriut, të cilët udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ishin përpiluar dhe drejtoheshin nga qeveria.
Nga ana e tjetër, ishte më se e kuptueshme se Qeveria e Beogradit nuk do t’i respektonte vëndimet e Fuqive të Mëdha, nuk dëshironte krijimin e një qetësie qytetare, përkundrazi ishte e interesuar të ngjallte ngatërresa dhe një gjendje pasigurie që të ndikonte në pasigurinë e gjithmbarshme të shtetit shqiptar. Më 16.1.1922 një forcë ushtarake serbe e përbërë nga 100 ushtarë ishte drejtuar për në Qafën e Prushit dhe, pas kundërshtimit të popullit të Zonës Neutrale, qëndroi në katundin Prush.
Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, të cilat iu dërguan Komisionit të Lidhjes së Kombeve, njerëz të paguar nga Qeveria e Beogradit lejoheshin të hynin lirisht në Zonë në mënyrë që ata të krijonin gjëndje pasigurie, ashtu që përgjegjësia të binte mbi shtetin shqiptar, ndërsa akti final t’i shërbente Jugosllavisë për okupimin e Zonës Neutrale. Prandaj, Qeveria shqiptare luste që të merreshin masat e duhura diplomatike nga komisioni i Lidhjes së Kombeve kundër këtyre ngjarjeve.
Qeveria e Beogradit kishte informacione se, derisa në Shqipëri të jetë në pushtet Ahmet Zogu, Bajram Curri nuk do të udhëhiqte aksione në territorin jugosllav, sepse qëllimi i tij ishte që ta rrëzonte Ahmet Zogun nga pushteti dhe ta formonte një qeveri të re në Shqipëri. Po ashtu kishin të dhëna se Bajram Curri nuk planifikonte kurrfarë marrëveshjeje me Qeverinë e Tiranës, por me qëllim të mbajtjes së gjendjes së nderë ai flet se si “së shpejti do të vijë çasti i tij, pas çkajës Shqipëria patjetër do të marrë një fizionomi tjetër” se kryeqyteti i një Shqipërie të tillë do të jetë në Gjakovë, “në qendër të Shqipërisë”. Autoritetet e Beogradit ishin në dijeni për të gjitha këto, por ndodhte që të shprehnin dyshimin, se lufta ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komitetit të Kosovës (në këtë rast dhe Bajram Currit – vër. L. Culaj) është ndonjë lloj demonstrimi në formë të mashtrimit të fqinjëve të tyre, sepse kurdoherë që është fjala për interesin e tyre të përgjithshëm, ata bashkohen si një trup i vetëm dhe grindjet e tyre të brendshme e marrin karakterin e dorës së fundit.
Në rethanat e krijuara Qeveria shqiptare ishte e interesuar jetësisht për mbarëvajtjen e qetësisë. Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, më 17.6.1922, e informon Ministrinë e Jashtme mbi lëvizjët e patrullave serbe në Zonën Neutrale në pjesën e Prefekturës së Kosovës, ku theksohej: “Tue qenë se shteti shqiptar asht i lirë dhe independent, nuk mundemi me e pa me sy të mirë të hymen e ndonjë patrullës së huaj brenda kufinit të saj” Kjo ministry, duke konsideruar se populli i këtyre krahinave sjelljen e patrullave serbe në këtë mënyrë e merrte si krekosje para forcave shqiptare, i propozon Ministrisë së Jashtme që të bëhen demarshet diplomatike pranë Qeverisë jugosllave, ashtu që patrullat të ndaloheshin për të bërë sheti në Zonën Neutrale.
Edhe shtypi i huaj gjatë atyre ditëve publikonte lajme mbi prishjen e qetësisë së brendshme në Shqipëri. Ndërkaq, kryeministri Xhafer Ypi e akuzonte Bajram Currin me shokë për përpjekje për prishje të qetësisë që mbretëronte në Shqipëri.
Për t’i realizuar qëllimet e tyre, Bajram Curri mbante çdoherë dhe rekrutonte vazhdimisht forca të armatosura. Më 28.4.1922 nga Shkodra informohej se Bajram Curri gjendej në Krasniqe, ku përgatiste një forcë prej 500 vetësh dhe se edhe Hysni Curri lëvizte me një fuqi luftarake prej 150 vetësh. Ndërkaq, më 6.5.1922 ministri i Jashtëm, Ahmet Zogu, e informon Kryeministrinë se Bajram e Hysni Curri po propagandonin se Qeveria e sotme shqiptare bashkëpunon me Serbinë dhe se është kundër shpëtimit të Kosovës. Nacionalistët e Kosovës kërkonin mbështetje dhe aleatë për jetësimin e qëllimit të tyre. Një mbështetje të tillë e gjetën tek Italia. Për shkak të rivalitetit me Jugosllavinë, Italia lidhi miqësi me Hasan Prishtinën, i cili, siç thamë, ishte në luftë të pareshtur me Qeverinë e Tiranës. Sipas gazetes së Beogradit “Novosti”, të datës 1 shtator 1923, në vitin 1920 Italia dhe Hasan Prishtina kishin lidhur një marrëveshje për rrëzimin e Qeverisë në Tiranë, gjë që më vonë do t’u mundësonte bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet.
Vërsuljet e herëpashershme të Ushtrisë dhe të Xhandarmërisë shqiptare në Zonën Neutrale i japin shkas prefektit të Qarkut në Pejë që ta përcillte më vëmendje prezencën e tyre, duke shprehur dyshimin se ato nuk vinin vetëm për t’i luftuar kundërshtarët qeveritarë, siç arsyetoheshin qarqet zyrtare shqiptare. Sipas ti, kishte mjaft dëshmi se Ushtria dhe Xhandarmëria shqiptare fare nuk ndryshonin nga të arratisurit të zakonshëm, kur ishte fjala për rendin dhe qetësinë në Zonën Neutrale, sepse në gjithçka ato e plotësojnë njëra-tjetrën dhe pajtoheshin plotësisht sa u përket si aksioneve në Zonën Neutrale dhe atyre në territorin e qeverisur nga Beogradi. Raporti i Vuksanoviqit është karakteristik edhe për nga këmbëngulja e tij: “Ndaj shqiptarëve nuk duhet të kemi besim”.
Ndërkaq Qeveria shqiptare përpiqej që ta ruante ekuilibrin e qetësisë së brendshme të shtetit, duke i ndjekur elementët që u bënë vegla të huaja dhe ata që prishnin qetësinë qeveritare, çetat luftarake të cilat ishin strehuar në Zonën Neutrale e që ishin bërë zot në këtë zonë ishin vazhdimisht në veprim. Ato herë sulmonin në thellësi të Kosovës, herë kundër forcave qeveritare në malësinë verilindore të shtetit shqiptar. Pa dyshim, që në keto veprime një kontribut të veçantë e jepte edhe Bajram Curri.
Autoritetet e Beogradit, që i përcillnin veprimet e Bajram Currit, e kishin të vështirë që ta zbulonin me saktësi vendin se ku gjendej Bajram Curri. Herë-herë shumë raporte theksonin se ai gjendej në malet e Nikajve jashtë territorit të Zonës Neutrale. Këto ishin më shumë supozime të prefektit serb të Pejës. Po më 19 korrik 1922, ky prefekt informonte eprorët se Bajram Curri me shokë kalon nga mali Theth në malin Debar- Doll, përmbi Plavë. Prefekti i Prizrenit gati në të njëjtën kohë, më 26 korrik, njoftonte se Bajram Curri gjendej në malin Theth. Përpos Bajram Currit, autoritetet e Beogradi vëmendje të madhe u kanë kushtuar gjithashtu edhe disa udhëheqësve të tjerë të çetave, para së gjithash Azem Bejtës, Sadik Ramës së Gjurgjevikut dhe Sali Ramës së Rugovës. As të dhënat mbi lëvizjen e tyre dhe aq më pak mbi pjesëmarrjen e tyre në aksione të ndryshme nuk janë të përpikta.
Kjo gjë i shqetësonte si Qeverinë e Beogradit ashtu edhe Qeverinë e Tiranës, andaj për likuidimin e prijësve të çetave u bënë analiza të ndryshme nga organët ushtarake. Komandës së Armatës së Tretë dhe kolonelit Kataniq, i cili ishte komandant i zonës kufitare me qendër në Prizren iu besua kjo detyrë. Bazuar në informatat e hollësishme, që i siguroi Ministria Punëve të Brendshme, i urdhëruan organet administrative të Qarkut të Dukagjinit, më 17. 11. 1922, që ta sulmonin Zonën Neutrale, t’i kapin dhe t’i likuidojnë forcat shqiptare, ndërsa rëndësi e veçantë t’i kushtohej Junikut, ku ndodheshin krerët e çetave çlirimtare të Kosovës (në mesin e të cilëve edhe Bajram Curri – vër. L. Culaj). Me gjithë këto përgatitjeve, aksioni ushtarak kundër Zonës Neutrale, që pretendonte likuidimin e prijësve të lëvizjes kosovare dështoi. Ai nxiti indinjatë të thellë në popull të kësaj treve, sidomos për shkak të plaçkës që u bë.
Me këtë rast Ministria e Luftës e Qeverisë shqiptare informonte më 19. 6. 1922: “Serbët nga Juniku u hoqën në pozicionet e para. Ushtria jonë është hequr më parë. Bajram Curri, Hasan Beu, Mustafa Kruja kanë ikur në Zonën Neutrale kah Gusinja me sa shokë tjerë. Kjo ngjarje e ndodhur në mes të ushtrisë sonë e të Serbisë nuk ka shkaktue ndonjë dam. Ketë ngjarje e ka shkaktue Bajram Curri me komitat e vet sepse vrau pesë ushtarë serbë.” Zëvëndësprefekti Krumës, A. Kastrati, më 26. 11. 1922, e informonte Ministrinë e Brendshme në Tiranë se Bajram Currit, Hysni Currit e Hasan Prishtinës nuk u dihej saktësisht vendqëndrimi. Kishte mosmarrëveshje edhe brenda vetë udhëheqësve të Zonës Neutrale. Nënprefektura e Pukës telegrafisht e informonte Ministrinë e Brendshme, më 28. 11. 1922, se në mbledhjen e Junikut ishte shkaktuar një mosmarrëveshje e madhe, mbledhje e cila përfundoi pa iu dhënë fund bisedimeve. Kundërshtar i kësaj mbledhje ishte bajraktari i Junikut, ndërsa për Bajram Currin thuhet se i dëshpëruar ishte kthyer nga Juniku në Krasniqe.
Këshilli i Lartë e caktoi më 2 dhjetor 1922 Ahmet Zogun në postin e kryeministrit. Në fjalën që kryeministri i ri mbajti në Parlament propozoi një varg masash për përmirësimin e gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ai vuri në dukje se Shqipëria, si shtet i vogël që ishte, duhej të ndiqte një politikë të jashtme të qartë dhe pa iluzione. Ne duhet të jemi miq me shtetet fqinje, t’i respektojmë dhe të kërkojmë që të na respektojnë pavarësinë dhe integritetin e shtetit tonë dhe bashkë me ketë edhe pavarësinë ekonomike. Pavarësia është një fjalë qe e dimë të gjithë, por për ta gëzuar atë duhet një qetësi e plotë, theksoi ai.
Qeveria e Beogradit dhe ajo e Tiranës, në fund të dhjetorit të vitit 1922 dhe në fillim të janarit të vitit 1923 i kishin kërkuar Konferencës së Ambasadorëve shqyrtimin e Zonës Neutrale. Të dy qeveritë ekzistimin e kësaj zonë dhe veprimet antiqeveritare kundër tyre i konsideronin të dëmshme për stabilitetin e brendshëm shtetëror.
Mirëpo, që më parë Konferenca e Ambasadorëve, e kishte dhënë sinjalin për heqjen e Zonës Neutrale. Këtë e kishte pasqyruar para opinionit vendas edhe shtypi beogradas. Gazeta “Pravda”, e datës 28 dhjetor 1922, theksonte ndër të tjera: “Ajo çka është karakteristike dhe që godet shumë kaçakët është lajmi se do të prishet Zona Neutrale. Kjo i bëri kryetarët e çetave që të mendojnë thellë. Sipas disa të dhënave ata e kanë humbur fare kokën”. Me sinjalin e Konferencës së Ambasadorëve dhe për të siguruar stabilitetin e brendshëm shtetëror, Qeveria shqiptare dhe ajo jugosllave u morën vesh për bashkërendimin e veprimeve. Qeveria e Beogradit i lejoi Qeverisë së Tiranës që t’i fuste forcat e saj ushtarake në Zonën Neutrale në përpjekje për ta shkatërruar lëvizjen kryengritëse antiqeveritare. Ministri i Jashtëm jugosllav, Ninçiq, nënvizon se ishte domosdoshmëri që të shpejtoheshin përpjekjet për caktimin sa më parë të kufirit me Shqipërinë, çka nënkuptonte zhbërjen e Zonës Neutrale. Autoritetet e Beogradit vlerësonin se në kohën e ofensivës kundër Zonës Neutrale, armiku kryesor i Jugosllavisë dhe Ahmet Zogut, Bajram Curri, kishte në rrethinën e Krumës rreth 1000 kryengritës shqiptarë. Më 14 janar 1923 ministri i Luftës, Ismail Tatzati, e informonte ministrin e Punëve të Brendshme se Bajram Curri dhe Hasan Prishtina po përgatisnin një lëvizje në malësi të Gjakovës. Po atë ditë filloi operacioni ushtarak qeveritar brenda territorit të shtetit shqiptar. Lëvizja kryengritëse në Junik e ndodhur mes dy zjarresh, me gjithë qëndresën e saj, u shtyp. Fatkeqësisht me këtë u hoq edhe Zona Neutrale e Junikut. Shikuar në kontekst të rrethanave ndërkombëtare përkrahja e kancelarive perëndimore për ta zhbërë Zonën Neutrale në favor të Jugosllavisë pritej dhe dihej edhe nga vetë shteti shqiptar. Asnjë shtet, qoftë edhe në bisedime secrete, nuk e përkrahte politikën e atdhetarëve kosovarë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Për dallim nga nacionalistët shqiptarë nga Kosova, të cilët problemit i qaseshin më zemër, qeveritarët e Tiranës nga presioni ndërkombëtar dhe duke analizuar rrethanat në vetë Shqipërinë problemin shqiptar e shikonin duke e bazuar në një logjikë tjetër. Rruga e ndryshme dhe mendimi i ndryshëm për zgjidhjen e problemit kombëtar krijoi rivalitete ndërmjet këtyre dy grupimeve. Filluan dhe akuzat e ndërsjellta, të cilat, siç u theksua më lart, çuan në situatën më të padëshiruar në luftën shqiptaro-shqiptare, ku nacionalistët kosovarë luftonin në emër të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, kurse forcat qeveritare në emër të vendosjes së rendit, qetësisë dhe ruajtjes edhe të asaj Shqipërie që kishte mbetur nga pushtimi. Kjo situatë e tendosur, pa dyshim, që do të kalonte edhe në kokëfortësi dhe inate shqiptare, që u ndërlidhën edhe në inate personale, të cilat nuk mund të gjenin kompromis as në favor të çështjes kombëtare.
Shuarjen e Zonës Neutrale dhe luftën ndërmjet nacionalistëve të Kosovës dhe të qeveritarëve të Tiranës e pasqyron edhe gazeta “Vreme” e datës 24 janar 1923. Gjithashtu shtypi i Beogradit, sipas Legatës shqiptare në Beograd, lansonte lajme, më 17 mars 1923, se edhe pas zhbërjes së Zonës Neutrale, nacionalistët shqiptarë ishin këmbëngulës në idenë e tyre dhe se Hasan Prishtina e Bajram Curri po përpiqeshin të dërgonin njerëz në Itali me qëllim të kërkimit të të hollave në përkrahje të tyre. Ndërkaq gazeta “Radikal” e Beogradit, e datës 18 mars 1923, informonte se Bajram Curri dhe Hysni Curri në kundërshtim me Qeverinë e Shqipërisë, po përpiqeshin ta turbullonin Shqipërinë e Veriut.
Për veprimtarinë e tij antiqeveritare Bajram Curri ndiqej këmba-këmbës. Për faljen e tij për veprimet antiqeveritare u diskutua edhe në Parlamentin shqiptar. Deputeti Ali Këlcyra, duke kërkuar faljen e Bajram Currit, do të veçonte: “Shërbimet që i ka bërë atdheut janë të njohura nga të gjithë. Curri është fytyrë historike në fushën e patriotizmit. Mendoni vetëm ato male ku sot Bajram Curri fshihet ta shpëtojë jetën e tij nga ushtria kombëtare që e ndjek.”