Ballina Aktualitet Të dielën kthehet ora verore, akrepat shkojnë 60 minuta para

Të dielën kthehet ora verore, akrepat shkojnë 60 minuta para

31
0

Nesër, duke nisur nga ora 02:00 (e datës 30 mars), akrepat e orës do të shkojnë 60 minuta para. Kjo do të bëjë që të humbasim 1 orë nga gjumi i mëngjesit, duke u zgjuar më herët.

Qëllimi i ndryshimit të orës është për të përfituar sa më shumë nga energjia diellore si dhe kursimi i energjisë elektrike.

Si lindi koncepti i orës verore?

Ishte viti 1907 kur anglezi William Willett paraqiti idenë e “Kohës verore”, në mënyrë që njerëzit të mos i çonin kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.

Willett e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën.

Ai propozoi që ora duhej të shtyhej për 80 minuta në katër hapa progresivë gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.

Willett pastaj e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.

Për fat të keq, ai vdiq nga një grip në  vitin 1915, në moshën 58-vjeçare, një vit para se gjermanët ta adaptonin planin e tij për ta ndryshuar orën më 30 prill 1916, por jo për 80 minuta, por për 60, kur ora u kthye mbrapa në 23:00.

Britania më pas ndoqi këtë ndryshim më vonë, më 21 maj.

Akti i “Kohës verore” ishte miratuar nga Parlamenti i Britanisë më 1916, dhe më 21 maj 1916 ishte dita e parë e llogaritjes së ‘Kohës Verore’.

Por, nuk ndërrohej gjithmonë për një orë.

Orët sot vendosen pothuajse gjithmonë një orë prapa ose para, por përgjatë historisë ka pasur disa ndryshime, si gjysmërregullimi me 30 minuta, apo rregullimi i dyfishtë me dy orë, dhe rregullimet e tjera për 20 dhe 40 minuta.

Një rregullim dyorësh ishte përdorur në disa vende të ndryshme gjatë viteve ’40 të shekullit XX.

Një gjysmërregullim ishte përdorur në Zelandë të Re në gjysmën e parë të shekullit XX. Në Australi në ndërkohë ora dikur shtyhej apo kthehej për 30 minuta.

Prej vitit 1981 u vendos ndryshimi i orës, që përfshin të gjithë Evropën, ku në shumë shtete të saj, akrepat lëvizin 60 minuta përpara.

Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ajo shkon 1 orë pas.

Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të marsit dhe të dielën e fundit të muajit tetor.

Ndërrimi i orës ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e dritës së diellit. Pas ekuinoksit pranveror dita fillon të zgjatet dhe kulmin e saj e arrin në 22 qershor, me 15 orë ditë dhe vetëm 9 orë natë.

Ora verore do të zgjasë deri të dielën e fundit të muajit tetor, kur akrepat do të kthehen 1 orë pas.