Nga Idris Dermyshi
Jehona e daljes së vëllimit me poezi “Aromë gjethi”, të të mirënjohurit Meçan Hoxha gurgulloi qetë e ëmbël në mjediset shoqërore e letrare, ku ngacmoi emri i mirë i autorit dhe bukuria e thjeshtësisë poetike. Numri i lexuesve, për habinë tonë dhe kënaqësinë e autorit, rritet çdo ditë, siç shtohen urimet, falenderimet dhe vlerësimet për këtë libër të veçantë.
“Aromë gjethi” vjen pas 13 librave të suksesshëm, për të qenë në vend të ëmbëlsirës që serviret në fund, pas një ushqimi të shijshëm. Vonë është marrë me poezi zoti Meçan, se poezia është liri, është e burgosura që do ajër e dritë, është vullkan që do të shpërthejë, është mbarsje shpirti që pret të lind. Dhe lindjet kanë qenë të mbara, të shëndetshme.
Poeti derdh dengje malli, dhimbjeje e respekti, përjetime e mesazhe pa fund për Kukurin e tij, për Gramshin tonë, për Durrësin, për jetën si dukuri, për të sotmen që prekim dhe të ardhmen që mendojmë…
Libri mban 100 poezi, aq sa burime ka Kukuri, aq sa urojmë për jetëgjatësinë njeriun tonë të dashur. Imazhi i qeleshes së bardhë të gjyshit e ndjek edhe sot “si mosndarje ngarkuar me mall”. Autori shkruan për nënën që “mbeti për jetë të jetëve, rreze dielli e patretur”. Në rrudhat e babait, si rrugë meteorësh, ecën krenar Meçani, për traditën dhe thjeshtësinë që trashëgoi. Shamia e partizanit Kodhel mbi varr,”flakëron dhe tregon se vazhdon jeta, se ideali i lirisë do të mbetet pishtar”. Dhimbja për Arbërin rëndon “ sa një mal”. Atë nuk e zbut as kripa e detit, as loti i kripur. Vajza me xhaketë të kuqe, si rrufe në qiell të kthjellët, e goditi me shigjeta dashurie zemrën e poetit rinor. Sinqeriteti e mirësia e mbajtën të gjallë këtë lidhje për 50 vite radhazi. Dinjitetshëm qëndrojnë ata bashkë edhe sot, duke iu bërë krah njeri-tjetrit në maloret e jetës.
Sedrën e historianit poet e mbush me krenari historia dhe lashtësia kukurake. “Qyteza ilire, luftëra dhe kala,/Janë luftëra shumë, me shtete të mëdha. Vargjet për Kukurin e Gramshin, ku dielli mbi Komjan përshëndet edhe mallin e tij, ia lenë vendin atyre për Durrësin: “Vend me dije, art, kulturë e bregdet, / teatër antik, Universitet në Mesjetë”. Figurat madhore të historisë në mote, nuk mbeten pa hise në këtë sofër poetike. Varganin e prijnë mbretëresha Teutë dhe mbreti Gent i Ilirisë, Skënderbeu i Mesjetës, Naim Frashëri i Rilindjes. Vjen më pas e sotmja, ku ndrijnë Nënë Tereza, Ibrahim Kodra, Eqerem Çabej, Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani e ndriçimtarë të tjerë.
Kosova kreshnike, me lumenj gjaku derdhur për liri, është e shtrenjtë për çdo shqipfolës. Monumente poetike u thuren Ylfete Mentor Humollit, nënlokes Emine Dvorani, pesë djemtë e së cilës, ia falën jetën pavdekësisë së Kosovës.
I ligështuar ndihet poeti për fatin e Tufes kukurake, që marrëzia e kohës e bëri kulake, duke e veçuar, përbuzur e damkosur. Lufta e klasave, ndër aktet më të errëta të tragjedisë së skëterrës komuniste, ka hedhur valle gjithandej, por në anët tona e ka bërë përdheshin mullar.
Braktisja e vendit e tmerron poetin. Me lotët e dhimbjes, Ai ujit “avlli e vreshta”.
Kaprollen e bukur nuk e takova.
As dele, këmborë e zile nuk pashë.
Stane, barinj e fëmijë, asgjëkundi,
Vetëm atje në brinjë, ecte një arushë…
Melodia me fyell, që do i bënte nder edhe UNESKO-s, simfoni e papërsëritshme e traditës gramshake, bën të ndalin hapin hëna dhe yjet, të heshtin këngën zogjtë, të ngazëllehet e të përlotet autori.
Më afron gaz e më largon vaje,
Dallgë-dallgë kjo melodi,
Zbret në fushë e ngjitet në male,
Herë si pjalm, e herë si stuhi.
Kapitulli i fundit u jep zë zërit të poetëve, është thirrje për t’i dëgjuar ata martirë “të vrarë nga shurdhëria dhe bilbili i një polici”. Tre strofa i kushtohen poetit talentmadh Pozaet Qose, si treqind dhurata për njeriun e lirë, në mbrojtje të kanioneve të Holtës dhe mrekullive përreth, nga babëzia e Hyqymetit dhe e maskarenjve të botës. Zëri i poetit gramshak, mësues gjimnazi, ngrihet vetëtimë mbi memecllëkun qytetar, mbi urinë e xhepplotëve e kokëboshëve, që shtohen si kërpudhat pas shiu. Mbase, poetët dhe mësuesit janë ylli polar që orientojnë ardhmërinë…
Meçani, si poet guximtar,“Do të marrë diellin në dorë, ta vendos ku do Ai”: në varrin e nënës e të djalit, në mal të shkrijë borën, në arë të ngrohë bimët, në lëndina me trëndelinë, ku valle hedhin gingjat. Nuk ka kandar që mat peshën e vendlindjes. Rëndesën e saj e ndjen vetëm zemra, shpirti.
Magazina e madhe e nostalgjisë dhe e kujtimeve për vendlindjen, zbrazet këndshëm në 8 poezitë e këtij vëllimi simpatik. Malet, burimet, stanet, kaprollet, bredhat, ahishtet… janë në shpirtin e autorit, tregojnë natyrë, histori, krenari, kënaqësi, dhimbje…Koha ka rrjedhur e ashpër në male, por malet e kanë mbajtur gjallë jetën. Vlerat e lartësojnë malësorin sa mali, vështirësitë ia bëjnë shkëmb durimin e guximin. Meçani, fshati e mali – lidhje e pandërprerë, dashuri e panjollë. Madhështia e bukuria e tyre e rehaton poetin. Vetëm për një foto mes natyrës plot lezete, shkel mbi vitet 80-vjeçari poet, duke iu ngjitur malores së egër deri në Rovie. Foto e veçantë, që fikson e shpreh shumë. Trupdrejti flokëbardhë, mes gjelbërimit çlodhës, dehur nga pamja epike e flladi freskues, sikur mediton: natyra t’i pjesëton vitet, t’i shumëzon energjitë, ta zbukuron jetesën.
Të gjitha poezitë shkruhen me varg të matur, që lëviz nga 6 deri 12 rrokje, strofat janë katërshe, ndërsa rimat të alternuara ose të përputhura. Metafora, krahasimi e simboli zenë kryet e vendit, në listën e gjatë të figuracionit letrar. Ato nuk janë kërkuar për të shërbyer si bizhu zbukurimi, por arrinë të shprehin mendim, ngjallin emocion, ndezin fantazi tek lexuesi. Nuk janë pjellë e imazhit pamor, por i të parit me sytë e mendjes, është ide apo mendim i kthyer në figurë letrare. Tematika e begatë e poezive të këtij libri, paketohet lezetshëm në 7 kapituj. Pse shtatë? Rastësi apo zgjedhje e qëllimtë e autorit?! Të vërtetën s’e njoh, ndaj po hamendësoj: Shtata është numri më i preferuar në botë. Bota ka shtatë mrekulli. Java shtatë ditë. Universi shtatë rrathë. Muzika shtatë nota. Ylberi shtatë ngjyra. Borëbardha me shtatë shkurtabiq. Shtatë thuprat e Skënderbeut. Anët e kundërta të zarit, po t’i mbledhësh, bëjnë shtatë. Zoti e krijoi botën për 6 ditë dhe pushoi ditën e shtatë… Ndër shtatë buqetat me poezi të freskëta e origjinale, unë veçoj “Bukuritë e vendlindjes”. Kjo më ngjiti më shumë. Ndoshta, ngaqë në fillimvitet ’80 kam qenë mësues në shkollën e vjetër të Kukurit, në mes të fshatit. Mirësitë njerëzore e natyrore të kësaj treve emërmadhe, i kam të gjalla ende. Tek lexoj, sikur shëtis bashkë me autorin staneve, pyjeve, burimeve, kënaqem me florën e faunën e pasur.
Mes realitetit e legjendës jepet Kukuri i autorit, një amfiteatër natyror gjigand, rrethuar me kodra e male, veshur me shkurre e pyje shekullore. Nga lartësia e Lisecit pellazgjik, syri sheh gjysmën e Shqipërisë, por poezia nuk fotografon atë që sheh syri, por atë që bluan mendja e ndjen zemra. Bukuritë e vendlindjes e dehin muzën e poetit. Romantizmi e realizmi, butësia e Lasgushit dhe fantazia e Kadaresë treten tek njera-tjetra. Metaforat, epitetet e personifikimet kapen dorë për dore, për të dhënë një pamje të gjallë, lëvizëse, epike. Katër vargje, me peshën e maleve, për mua më të arrirat, gdhendin në mendjen e lexuesit bukuritë njerëzore e natyrore të fshatit midis maleve, të Kukurit të Meçanit, nga Meçani i Kukurit.
Zbardh Kukuri im, me njerëz të mirë,
Me 100 burime dhe natyrë të dëlirë.
Gjethet hedhin valle, era i bie fyellit,
Malet i shfryjnë erës dhe sytë ia kthejnë diellit.
Kjo është poezi që këndon. Këndon vençe, me iso të shtruar, siç shkundin skenat e festivaleve kukurakët Çelnik e Tele Çela, siç e çon në vlim gazin e dasmorëve, kënga popullore e Neki Shulit.
Stina e pranverës është mbretëresha e bukurisë në këto vise. ”Se kur vjen pranvera, me naze e hire,/Mbrëmja përkund kurmin si hyjneshë ilire”, thotë autori. Të gjitha shqisat gëzojnë e lumturohen mes perlave pa numërim. Qielli nxin ditën nga dallëndyshet e shqiponjat, ndrin natën nga xixëllonjat. Syri kreh bukuritë pa fund e anë dhe çlodhet mes tyre. Bukuritë s’të bëjnë gjumash. Në ecje lodhet e çlodhet autori.
Çlodhet në Lukovë,
Mbledh çaj në Lisec,
Në Rovie ca kërpudha,
Luleshtrydha në Mecë.
“Aty mrizi i deleve, më tutje një kalë,/ sa herë që i sheh, i ngjan vetja djalë”. E unë i besoj këtyre përjetimeve të autorit.
Meçani nuk është njeri i përmbysjeve, shkatërrimeve, tërmeteve si Noli e Ali Asllani. Por, si Lasgush i vonuar, me daltë të mprehtë e penel të lëmuar, zbukuron, ndërton, lezetos, jep mesazhe, qorton, sygjeron… Poezi të freskëta, qytetëruese. Me zë të lartë dua ta theksoj këtë, si vlerë mbi të gjitha vlerat, kryevlera e librit. Në sitën e imët të autorit nuk kalojnë vulgaritete, zhargone, banalitete. Nuk merret autori me cingërrima, që çasti ia hedh përpara si ferra, që të bezdisin, çjerrin e pengojnë. Nuk merret Ai me himet, për të sajuar krunde qensh, por sit e gatuan miellin e sirmën, duke na dhënë kuleç e simite për zotërinj e fisnikë. Fokusi poetik ndriçon prirjen drejt ecjes dhe jo ngecjes. Poezia nuk është në flatrat e Pegasit, por në tokë, ku shpesh ka rënë jeta jonë. Të pastra fjalët, të pjekura e të ëmbla mendimet.
Shpesh poeti nuk është i drejtpërdrejtë e deklarativ. Mendimi filozofik, i urtë dhe i vlertë, duhet zbuluar në thelbin e figurës dhe të vargut, ashtu si frut i shijshëm i arrës shijohet pasi thyen guackën e fortë mbrojtëse të saj. Bashkohem me mendimin e shkrimtarit dhe poetit Vaso Papaj, që poezitë e këtij libri të zënë vend në bibliotekat e shkollave e të programohet leximi I tyre.
Kukuri e Gramshi nuk janë të pamata në hapsira si Rusia e Kanadaja, por me Meçanin kanë gjetur Kristoforkolombin e vet, zbuluesin e vlerave të mëdha, por të fjetura, të harruara, të nëpërkëmbura. Vërçoku mençurak, mikpritës e i muhabetshëm, që ka të shtrenjtë mikun dhe besën, nuk pushon së punuari. Mosha dhe hipzbritjet e jetës nuk ia ndryshkën shpirtin delikat. E keqja, bloza, shëmtia e mërzitin, por nuk e mposhtin. Mendoj se kjo është logjika e jetës, e zhvillimit natyror e njerëzor. Dhimbjen nga prishja e rehatisë të së sotmes, e shëron kënaqësia e së nesërmes. Ndaj Meçani është trupdrejtë, mendjekthjellët, paqësor, fisnik. Kokën e mban lart, por jo hundën përpjetë. Të tillë e pafshim shumë gjatë !