Pas një muaji agjërimi e sakrificash shpirtërore, besimtarët myslimanë kremtojnë sot (30 mars) festën e Fitër Bajramit.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe besimtarët u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e madhe në Tiranë.
Ceremonia nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën dhe më pas vijoi me faljen e madhe në shesh.
Pas një muaj sakrifice dhe devotshmërie myslimanët sot kremtojnë përkushtimin e tyre ndaj Zotit.
Kukës/ Edhe pse mëngjesi i sotëm ishte me reshje shiu, qindra besimtarë myslimanë në Kukës falën namazin e Fitër Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit të Kukësit.
Pas faljes së Fitër Bajramit besimtarët përcollën urimet më të mira për këtë ditë të shënuar të besimit islam, duke kërkuar edhe zgjerimin e xhamisë.
Ndërsa myftiu i qytetit Emirjon Vathaj tha se kjo ditë shënon një nga ditët më të bukura të kalendarit islam. Bashkia Kukës ka numrin më të madh të besimtarëve mysliman në vend, ku 97% e popullsisë i takojnë besimit islam.
Elbasan/ Mijëra besimtarë në Elbasan falën Fiter Bajramin, ditën më të rëndësishme në kalendarin islam. Ligjërata publike u mbajt nga myftiu Agim Duka i cili përpos urimit të kësaj ditë, në këtë vit zgjedhor bëri apel për ndershmërinë e votës dhe mos shitjes e saj.
“Vota është amanet. Zgjedhjet janë një festë demokratike, një shprehje e vullnetit të popullit dhe duhet të jenë të pastra nga çdo ndotje. Le të orientohemi nga virtyti dhe përgjegjësia, të mos e shesim vullnetin tonë, të mos e blejmë ndërgjegjen e tjetrit. Të mos lejojmë që lista dhe përfaqësimi të matrapazohen, por të jenë në shërbim të së mirës së përbashkët”, tha ai.
Pas faljes së Fiter Bajramit komuniteti mysliman hap dyert e pritjes ku nuk mungojnë urimet nga përfaqësues të besimeve të tjera fetare si shembulli më i bukur i bashkëjetesës fetare.