Partizani fitoi minimalisht 1-0 ndaj Laçit, në përballjen e Superiores të luajtur në “Arenën e Demave”. Debuton me triumf rikthimin në stolin e të kuqve, edhe trajneri Skënder Gega, i zyrtarizuar vetëm 2 ditë më parë. Rasti i parë serioz i takoi kurbinasve, me Myrtën që “flirton” me golin por vetëm kaq, pasi goditja e tij shkon mbi portë. Në minutat e fundit ritmi u shtua, teksa kryeqytetasit morën avantazhin. Një gabim i kushtoi rëndë laçjanëve, me portierin Molla që nuk largoi si duhet një top, me Eleke që shënoi, duke ndëshkuar kundërshtarin. Mysafirët reaguan dhe barazuan shifrat brenda fraksionit të parë, por goli u anulua për pozicion të parregullt. Laçi futet me shumë dëshirë në pjesën e dytë, gjatë zhvillimit të një goditje këndi topi shkoi te Bibo, i cili shkaktoi drithërima, me një tentativë nga distanca. Pavarësisht rasteve, nuk pati gol deri në fund. Partizani shkon në kuotën e 47-pikëve në vendin e katërt, ndërsa komplikohen llogaritë te Laçi, që me 33 pikë është në vendin e gjashtë. Në takimin tjetër të luajtur këtë të dielë, Skënderbeu mundi 4-1 Dinamon, duke marrë 3 pikë jetike për mbijetesën.