Partia Demokratike ka organizuar sot (30 mars) një tryezë politike nëpërmjet Forumit Rinor, me tematikë “rikthimin e të rinjve në atdhe”.
Dy detaje që ranë në sy nga ky takim ishin: Prania e ish-eurodeputetes Doris Pack në Tiranë për të mbështetur mikun e saj të vjetër politik, që aktualisht është ‘non grata’ në SHBA dhe Britaninë e Madhe apo i pandehur nga SPAK për dosjen e aferës ‘Partizani’ dhe mbajtja e të gjitha fjalimeve nga të pranishmit në gjuhën angleze dhe me përkthim në shqip!
Nuk dihet nëse kjo u zgjodh për t’i bërë qejfin të ftuarës Pack, pasi pothuajse të gjithë të pranishmit ishin shqiptarë dhe për më tepër që tematika ishte ‘rikthimi i të rinjve shqiptarë në atdhe’.
Berisha nuk ndali sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e etiketuar me epitetin “person 2 metra i gjatë dhe me atlete të bardha”. Për të argumentuar akuzën e tij se Edi Rama nuk e do rininë, ai tha se po mbyll TikTok-un, duke premtuar rikthimin e rrjetit social pas 11 majit.
Ai mbrojti listat e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 11 majit, duke pretenduar se janë 58 kandidatë, ose 30% e tyre, nën moshën 40 vjeç, për të mbuluar largimet masive të figurave historike të PD-së, veçanërisht atyre që fituan dhe Primaret.
Kundërshtarët tanë kanë kopjuar programin tonë, por ata janë gënjeshtarë dhe të korruptuar dhe në këtë mënyrë e trajtojnë programin. Kanë 12 vite në pushtet dhe nuk kanë ofruar asgjë tjetër veç se kanë dëbuar të rinjtë nga vendi”, tha ai.
Dhe në fund premtimi për rikthimin e rrjetit social TikTok. Dhe këtë e bëri duke personifikuar kryeministrin si “person 2 metra i gjatë dhe me atlete të bardha, që urren rininë”.