Ballina Europë ​Presidenti finlandez tregon çfarë i sugjeroi Trumpit për armëpushim me Rusinë

​Presidenti finlandez tregon çfarë i sugjeroi Trumpit për armëpushim me Rusinë

21
0

Presidenti i Finlandës Alexander Stubb i ka thënë homologut të tij amerikan Donald Trump se duhet të vendoset një afat për një armëpushim në Ukrainë.

Stubb bëri një vizitë të papritur në Florida për t’u takuar me Trump. Ata diskutuan forcimin e partneritetit dypalësh të vendeve të tyre dhe luajtën një raund golfi, njoftoi zyra e Stubb.

“20 prilli do të ishte një kohë e mirë për një armëpushim të plotë pa asnjë kusht… Sepse nevojitet një afat, sepse është Pashkë dhe sepse Donald Trump do të jetë në detyrë për tre muaj atëherë,” tha Stubb për gazetarët finlandezë në Londër.

Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara njoftuan marrëveshje të veçanta me Ukrainën dhe Rusinë për të ndalur sulmet e tyre në Detin e Zi dhe në objektivat e energjisë.

Stubb tha se durimi i Trump me Rusinë po mbaron dhe se SHBA-ja ka plane “të gjera” nëse Rusia nuk pranon një armëpushim.

Trump kërcënoi sot se do të vendosë tarifa dytësore 25-50 për qind për naftën ruse, nëse fiton përshtypjen se Moska po bllokon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës, transmeton KosovaPress.

Stubb do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer të hënën. Temat në agjendën e tyre zyrtare përfshijnë ndihmën për Ukrainën dhe përfundimin e luftës së agresionit të Rusisë, së bashku me marrëdhëniet dypalëshe. Megjithatë, fokusi kryesor ka të ngjarë të jetë takimi jozyrtar i Stubb me Trump.