Ballina Kulturë Stefan Çapaliku sjell dramën “Vrasje në vjeshtë”, në Teatrin Eksperimental

Stefan Çapaliku sjell dramën “Vrasje në vjeshtë”, në Teatrin Eksperimental

24
0

“Vrasje në vjeshtë” është shfaqja që solli Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, bazuar mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit.

Shfaqja u vu në ArTurbina me regji dhe dramatizim të Stefan Çapalikut dhe aktrimin e Mehmet Xhelilit, Rafael Hoxhajt dhe Xhoana Karajt.

Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmorën sulme të befasishme mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do të paralizonin lëvizjet e gjermanëve.

Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane kishte grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do të shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë.

Në këto kushte, ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhëri.

Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhëri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar.

Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë.

Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri paidentitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetëdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.