Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk beson se do të mund të formohet Qeveria Kurti 3.
Ai tha të hënën për KosovaPress se si AAK vazhdojnë të jenë të përcaktuar për një koalicion të opozitës.
Madje sipas tij, askush nga opozita nuk do të bashkëpunoje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne jemi përcaktuar si Aleancë për koalicion të opozitës, qeveri të opozitës, nuk besoj se dikush nga opozita do të bashkëpunojë me pozitën. Po ashtu edhe NISMA është e përcaktuar për koalicion të opozitës. Nuk besoj [se do e formojë Kurti Qeverinë], nuk i kanë numrat po vonohen ashtu. Nuk mund të bëjnë, sepse nuk i kanë numrat, kanë dhjetë deputetë më pak se herën tjetër”, tha Haradinaj.
E nga Nisma Socialdemokrate i quajtën spekulime raportimet në media se tre deputetët e tyre do të votojnë pro formimit të qeverisë Kurti por pa u përfshirë në koalicion qeverisës.
Anëtari i kryesisë, Vesel Krasniqi në një përgjigje për KosovaPress tha se për momentin “s’ka asnjë lëvizje” dhe se Nisma mbetet ende në deklarimet e mëhershme të kryetarit Fatmir Limaj.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Limaj në paraqitjen e parë dhe të vetme publike ka refuzuar të vendosë “vija të kuqe” për Lëvizjen Vetëvendosje në ndërtimin e qeverisë së re, duke deklaruar se është i hapur për diskutime për çështje me rëndësi nacionale.
Në anën tjetër, anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu duke folur më herët të hënën për KosovaPress e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me opozitën sa i përket formimit të qeverisë së re.
Ajo tha të hënën se do të bëjnë përpjekje për të takuar deputetë të zgjedhur por sipas saj jo ata nga opozita.
Ndërkaq, javën e kaluar, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, tha se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti por theksoi se deri më tash ka zhvilluar biseda vetëm me partitë opozitare.
Në LDK janë shprehur kundër koalicionit me LVV-në por të gatshëm për bashkëpunim me opozitën me kushtin që LDK e merr postin e kryeministrit.
KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.