Nga Ben Andoni
Rikard Ljarja nuk ka luajtur në të gjallë asnjë rol heroi të famshëm, personazh-simbol historik apo ndonjë nga figurat mitike të vendit. Galeria e tij mbledh portretizime të tëra në teatrin “Migjeni” (fillimisht dhe pastaj në filmin në Kinostudio) punëtorësh, fshatarësh, intelektualësh, antifashistësh dhe idealistësh të një kohe që Shqipëria ‘e kaloi’ në vitin 1990. Tashmë, në pasjetë po këqyr në rolin e njeriut që punoi, krijoi, portretizoi shqiptarin e mirë që mëton nga ndershmëria, punën e pastër dhe intelektualin e dlirë. Rikardi jetoi, punoi dhe respektoi mjedisin rreth tij dhe parimet deri në fund. Cili e mban mend dhe e njeh autorin dhe të tillë pa modesti ka shumë më tepër sesa artikullshkruesi, Rikardi kishte tipare ekzistencializmi që i mbrujti gjithë jetën. Idealizimi i personazheve të një periudhe kohe, e cila nuk ekziston më, fsheh përmes interpretimit dhe krijimeve të tij mënyrën sesi një personazh që jep pa fund për krijimin e një utopie mbart në vetvete dhe përpjekjen për t’iu përgjigjur pyetjeve të ekzistencës. Cili jam unë? Përse punoj? Pse jetoj? Çfarë dua të lë? Për dekada me radhë atë motiv që Rikardi e shkroi, luajti dhe e interpretoi në formën e njeriut që shkruan dhe dëshiron të shkruajë dhe atë që bëri realisht në jetë duke krijuar. Pasi Rikardi ishte veçmas të tjerave i panginjur me disiplinat e ndryshme të artit dhe… shkrimin. Dikush mund të thotë se ishte i pangopur pasi e kishte ezauruar filmin në të gjitha aspektet. Ka të ngjarë, por s’është krejt e vërtetë. Nëse do kishte mundësi dhe shëndeti ta mbështeste si duhet, Rikardi do të dhuronte edhe personazhe të tjera qoftë në grup-interpretimin filmik por edhe si krijues, por koha ka limitet e veta ndërsa konjukturat artistike janë një mal tjetër që i qëndron artistit shqiptar përballë. Bash këtu niste fjalë-debati me vetveten dhe me të tjerët. Shpesh në monologjet e brendshme dhe e dyta në strehimin te letërsia dhe publicistika. Të tilla, ai i kishte shpesh me veten dhe përball tallazeve të jetës. Etika e sjelljes e dërrmon një autor dhe Rikardi pati momentet e errëta sesi e shmangën në fund të jetës. Siç ndodh me zhgënjimin tek qenia që e respekton shtetin e vet dhe problemet i shtyp në honet e shpirtit, ashtu i ndodhi më 2002, kur shkoi për të marrë rrogën e radhës dhe i thanë se nuk kishte më pagesë për të marrë, pasi ishte larguar me dëshirën e vet nga RTSH! “Pas kësaj u largova pa u ankuar tek asnjeri, pasi e kam respektuar gjithnjë shtetin”, do shprehej i keqardhur në një intervistë. Do t’i afrohej këtej e tutje rrugës, të cilën kishte dashur ta shtynte më shumë se çdo gjë: pensionit. Tashmë do kishte mundësinë t’i dedikohej letërsisë dhe pikturës, ku abstragimi i tij me qenien dhe simbolikat e jetës është tejet i thukët, element që tregon realisht peshën dhe përqendrimin e mendimit të një krijuesi dhe interpretuesi vërtetë intelektual. Këtu forca e intelektit dhe sidomos sintezat që bën Rikardi janë të thella. Tek romani “Në një humbëtirë këtej rrotull”, simbolizmi i tij synon të sintetizojë përmes elementëve ballkanikë shtresëzimin jetësor të trojeve tona nga paganizmi drejt kohëve moderne, pa iu referuar kohës dhe hapësirës: “Na ishte njëherë… na ishte njëherë e në një kohë të lashtë, një katund, në një cep të humbur të Ballkanit.
Ndoshta, diku aty ku sot takohen e ngatërrohen disa kufij.
Diku aty buzë një liqeni.
Ngjarja ndodh në këtë humbëtirë, atëherë kur nuk kishte kufij në kuptimin e sotëm. Ndoshta në atë kohë kur Ballkani, apo më mirë Europa Juglindore ishte e ndarë në vilajete, apo ndoshta edhe më herët…
Dikur… dikur…
… Në një kohë të largët, që ne e shohim pak si turbullt, pak si në mjergull atë kohë, kur në këto vise popullsitë merrnin e jepnin gjithçka me njeri tjetrin.
Merrnin e jepnin zakone, kostume, kafshë shtëpiake, gjellë, muzikë (këngë, valle, vaje), përralla, fjalë…
Edhe fjalët hynin e delnin nga njëra gjuhë te tjetra dhe shpesh e ndjenin veten mirë aty ku shkonin, shtonin a hiqnin ndonjë mbrapashtesë, ndërronin ndonjë theks, dhe rrinin rehat e bëheshin një trup.
Ndonjëherë, rrallë, edhe krushqi bënin.
Miqësitë ruheshin por gjithësejcili në punë të tij. Kjo kishte shumë rëndësi”.