Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se me ardhjen e PD-së në pushtet do të ketë një amnisti të madhe për gjobat e vendosura ndaj bizneseve.
Në një deklaratë publike, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike, duke përmendur koncesionin e inceneratorëve dhe pasuritë e zyrtarëve të lartë.
“Administrata ka njerëz të ndershëm, por ka dhe patronazhistë që janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Si mund të ndërtojë një zyrtar një vilë 57 metra të gjatë me një oborr prej 8800 metrash? Ai i imponoi Erion Velisë të firmosë inceneratorin e Tiranës dhe u zhdukën 130 milionë euro”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se zgjidhja për të ndalur korrupsionin dhe gjobat është largimi i Ramës më 11 maj.
Sipas tij, qeveria kërkon të amnistojë trafikantët jashtë vendit, ndërsa PD-ja synon të falë gjobat e padrejta ndaj bizneseve të vogla, pensionistëve dhe punonjësve me paga të ulëta.
“Ne nuk do të falim asnjë qindarkë për trafikantët në Dubai dhe Aruba, por do të amnistojmë gjobat absurde të vendosura nga kjo qeveri”, përfundoi ai.