Kryeministri Edi Rama dukshëm ka vendosur të bëjë fushatë me dy gjëra kryesore për zgjedhjet e 11 majit, në të cilat kërkon një mandat të katërt, bashkë me ambicien për të fituar tre të pestat e parlamentit: Shkëmbim batutash dhe tallje me kundërshtarët nga njëra anë dhe premtim për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian nga ana tjetër. Kjo është fushata e katërt radhazi dhe duket se në formë dhe përmbajtje po përsërit dy fushatat e shkuara, në të cilat, politikat identitare dhe sulmet e karakterit personal zëvendësuan premtimet konkrete apo programet e qeverisjes.
Gjithsesi, fushata e këtij viti duket se mbart një premtim më konkret se sa ajo e vitit 2017, e cila u mbështet në teorinë e tepsisë që duhej t’i mohohej LSI-së dhe t’i jepej PS-së, apo ajo e vitit 2021, e cila mund të përshkruhet, siç e përshkroi në një rast vetë Rama, “përballje personalitetesh dhe jo idesh”.
Premtimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian duket se synon të kalërojë një perceptim më të gjerë për një realitet të ri gjeopolitik, përballja mes Evropës dhe Rusisë dhe gadishmërinë e perceptuar të evropianëve për të ndëshkuar Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut për sjelljet antievropiane të qeverive të këtyre vendeve përmes shpërblimit, me fonde dhe me premtime për më shumë integrim dhe më shpejt, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi.
Por ndërsa situata gjeopolitike është diçka për të cilën, qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk mund të kontribuojë, as për krijimin e kushteve të përshtatshme për ne dhe as për krijimin e kushteve të papërshtatshme, ajo që qeveria e Shqipërisë mund të bëjë është që, ndërsa shpreson që situata gjeopolitike të evoluojë në favorin tonë, dhe të vijojë të jetë e tillë edhe në vitet në vazhdim, gjë që nuk është e garantuar, ajo të zbatojë së paku disa nga qindra kushtet që Bashkimi Evropian ka vendosur për vendet kandidate, kushte të cilat, në fakt, janë detyra shtëpie që një vend duhet t’i ndërmarrë, jo thjeshtë për të plotësuar kushtet për anëtarësim, por për shkak se këto detyra e bëjnë vendin që i ndërmerr një vend më të mirë për të jetuar.
Disa nga kushtet e imponuara nga BE janë afërmendësh: psh., vendi duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut apo të kujdeset që të ketë matje të besueshme të cilësisë së ajrit. Disa të tjera janë jo fort të lehta për t’u arritur për shkak se kërkojnë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, investime të cilat nuk janë të mundura të bëhen brenda ditës dhe që shpesh kërkojnë burime ekonomike që thjeshtë nuk janë të disponueshme për momentin. Këto janë të tilla si ndalimi i derdhjes së ujërave të zeza në lumenj apo krijimi i infrastrukturës moderne të transportit. Disa nga kushtet janë thjeshtë punë vullneti. Kërkohet të ndryshohen ligje, të cilat mundet të ndryshohen në parlament, pa ndonjë pasojë as në buxhetin e shtetit dhe as në situatën e përgjithshme politike të vendit. Të tilla janë kushtet për të eliminuar vendimet diskrecionare në prokurimet publike apo heqja e shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal. Dhe disa nga kushtet, të tilla si krijimi i një administrate profesionale, të departitizuar, e cila shpërblehet dhe jep llogari në varësi të punës që bën, këto janë kushte që kërkojnë vullnet politik, pasi bien ndesh pikërisht me pushtetin politik të kryeministrit. Me pak fjalë, në mënyrë që vendi të plotësojë kushtet për integrim evropian, disa nga kriteret kërkojnë që Rama të ketë më pak pushtet.
BIRN analizoi të dhënat e një dekade të Raporteve të Progresit, raportet që përgatiten nga ekspertët e Brukselit dhe që vlerësojnë progresin e vendeve anëtare vit pas viti. Në vitin 2015, Komisioni Evropian filloi të zbatojë një metodologji që përdoret edhe sot, e cila e bën të lehtë matjen e gjendjes së një vendi në një fushë të caktuar dhe njëkohësisht, matjen e progresit në krahasim me vitin e kaluar.
Krahasimi mes vitit 2024, i cili është raporti i fundit, me vitin 2015, i cili është raporti i parë me këtë metodologji, sugjeron se në fakt, interesi i Tiranës zyrtare nuk ka qenë fort i lartë për të realizuar shumë nga kushtet e progresit drejt anëtarësimit, as ato kushte që janë të vështira, as ato që kërkojnë si kurban për t’u realizuar pushtetin e kryeministrit dhe, ajo që është më surprizuese, as ato të cilat nuk duket se cënojnë pushtetin e tij dhe as nuk kërkojnë ndonjë stërmundim financiar nga buxheti i shtetit.
Me pak fjalë, progresi në një dekadë ka qenë më së shumti në vendnumëro, me ndryshime të pakta dhe tërësisht të pamjaftueshme të sjella nga Reforma në Drejtësi.
Ndonëse jo me shumë bujë, raportet e progresit kanë shënuar hapa pas në disa fusha teknike, të tilla si politika e konkurrencës apo lëvizja e lirë e mallrave.