Miliarderi amerikan dhe udhëheqësi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) Elon Musk ka reaguar nëpërmjet një shënimi në platformën e tij “X” ndaj dënimit të lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe heqjes së të drejtës për t’u zgjedhur.
“Kur e majta radikale nuk mund të fitojë përmes votës demokratike, ata abuzojnë me sistemin ligjor për të burgosur kundërshtarët e tyre”, ka shkruar Elon Musk në rrjetin e tij social, X.
“Kjo është metoda e tyre standarde në mbarë botën,” tha ai.
Gjykata e Parisit shpalli fajtorë lideren e ekstremit të djathtë, Marie Le Pen, dhe 8 eurodeputetë të tjerë për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit të gjykatës, ata ishin të përfshirë në një skemë që kishte për qëllim përdorimin e fondeve të BE-së për punët e partisë së ekstremit të djathtë, Rally National, ndërmjet viteve 2004 dhe 2016.
Dënimi i Le Pen i ndaloi mundësinë asaj që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, pasi gjykata vendosi ndalimin e saj të kandidojë për poste publike për 5 vjet. Gjithashtu Le Pen është gjobitur me 100,000 euro.