Barazim 1-1 ndërmjet Dinamos dhe Teutës, në përballjen që shkoi për llogari të javës së 33-të të elitës. Ritmi ishte i kënaqshëm që në fillimin e ndeshjes, me skuadrat që bënë një lojë të hapur në “Elbasan Arena”. Durrsakët festuan pas më shumë se çerek ore lojë, teksa gjatë zhvillimit të një goditje këndi, topi shkon te Gjinollari, i cili me një goditje të fortë, mposht portierin kundërshtar. Në fundin e fraksionit nuk munguan drithërimat në portën durrsake, ku Vata i mohoi golin Nanit.
Dinamovitët vendosën ekuilibrat me të zakonshmin Zabërgja, i cili pasi vallëzoi në zonë, tregoi klasin e tij duke “përshëndetur” rrjetën. Në fund të dy skuadrat “shtrënguan duart”, me Dinamon që është në vendin e dytë me 55 pikë, ndërsa Teuta është e teta me 35 pikë. Të hënën janë në program takime të tjera të kësaj xhiroje, ku spikat derbi Tirana-Partizani.