Ballina Politika Denoncimi i PD: ‘Eco Riciklim’ vazhdon të fitojë tenderat e QSUT, Arbër...

Denoncimi i PD: ‘Eco Riciklim’ vazhdon të fitojë tenderat e QSUT, Arbër Teqja shiti fiktivisht kompaninë për të fshehur konfliktin e interesit! Media: Ia bleu Allajbeu

22
0

Partia Demokratike denoncoi sërish kompaninë ‘Eko Riciklim’, për të cilën thotë se ka monopol në trajtimin e mbetjeve spitalore. Partia Demokratike ka denoncuar manovrat e bëra nga kompania për të përfituar një tender me objekt ‘Trajtim dhe asgjësim i mbetjeve spitalore të rrezikshme për 24 muaj’, të hapur nga QSUNT.

Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tenderi me vlerë 1.7 milionë euro është fituar nga kompania “Eco Riciklim”, e Arbër Teqjas, i cili është djali i nëndrejtoreshës së QSUNT.

Në denoncimin e bërë nga selia e PD, Vangjeli deklaron se për të fshehur favorizmin e kompanisë së tij në tenderin e hapur nga QSUNT, Arbër Teqja shiti fiktivisht “Eco Riciklim” tek një kompani tjetër.

Sipas mediave, blerësi i aksioneve prej 70% që Teqja kishte në “Eco Riciklim”, është Klodjan Allajbeu i Spitalit Amerikan. Po ashtu, sipas mediave, “Eco Ricklim” fitoi menjëherë tenderin e hapur nga QSUNT, sapo në letra figuroi Klodjan Allajbeu si pronar i kompanisë.

PD thekson se në garën për këtë tender mori pjesë vetëm ky ofertues dhe në mungesë konkurrence, u shpall fitues me ofertë 100 % të vlerës fondit limit ose fiks 1.7 milionë euro me TVSH.

‘Për të bërë të mundur që 1.7 milion euro të shkonin prapë te Eco Riciklim kryhet një veprim taktik nga pronari Arbër Teqja, i biri i nëndrejtoreshës së QSUNT. 7 ditë pas shpalljes së tenderit në 27 Shkurt 2025, ai shet pjesën e tij të aksioneve te një kompani tjetër. Në garën për këtë tender mori pjesë vetëm ky ofertues dhe në mungesë konkurrence, sigurisht u shpall fitues. Oferta ishte plot 100 % të vlerës fondit limit ose fiks 1.7 milion euro me tvsh’, tha ajo.