Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njofton se remitancat, si kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, arritën vlerën 86.14 milionë euro në janar 2025, një vlerë afërsisht të njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit 2024, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas vlerësimeve preliminare, remitancat për muajin shkurt 2025 arritën në 88.12 milionë euro, duke sjellë një total prej 174.26 milionë euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025.
“Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin shkurt 2025 ishin rreth 88.12 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 174.26 milion euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit shkurt 2025 kanë qenë përmes IFJB-ve me 62.65%, bankave komerciale me 16.45% dhe kanaleve tjera me 20.90%”, thuhet në raportin për statistikat e Sektorit të Jashtëm për tremujorin e katër 2024 dhe Bilancit të Pagesave për muajin janar 2025.
Sipas BQK-së, bilanci i pagesave – në fund të muajit janar 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 21.36 milionë euro, i cili tregon thellim të deficitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur llogaria rrjedhëse kishte suficit prej 6.78 milionë euro.
Shkaktari kryesor i këtij deficiti është rritja e deficitit në bilancin tregtar.
Sipas BQK-së, investimet direkte në Kosovë për janar 2025 arritën në 90.96 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 12.19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës arritën në 16.19 milionë euro, me një rritje prej 19.12% krahasuar me janar 2024.
“Asetet rezervë deri në janar 2025 janë rritur për 45.95 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin 15.21 milionë euro. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave për 45.95 milionë euro, ndërsa nuk ka pas investime në letra me vlerë gjatë muajit janar 2025”, njofton tutje BQK-ja.