Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në qytetin e Elbasanit, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se këto zgjedhje do të shënojnë një moment të rëndësishëm për Shqipërinë.
“Rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se Elbasani dhe Shqipëria do të kenë një ditë të dytë vere, dhe kjo do të jetë në 11 maj. 11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët. Do të jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për shqiptarët,” tha Berisha.
Ai inkurajoi mbështetësit dhe qytetarët që të angazhohen për këtë proces zgjedhor, duke theksuar se është koha për ndryshim dhe për t’i dhënë fund një periudhe të gjatë vështirësish.
Berisha shprehu besimin se me përkrahjen e popullit, Partia Demokratike do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme dhe do të sjellë një qeverisje më të mirë për shqiptarët.