Dy gazetarë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, Edison Ypi dhe Leonard Kërquki, kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për Agron Shehajn, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duke vlerësuar qasjen e tij ndryshe në politikë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Drejtor i T7 dhe Gazeta Express, Leonard Kërquki, vlerësoi në një postim në rrjetet sociale mënyrën se si Agron Shehaj po zhvillon fushatën e tij, duke e cilësuar “fantastike” dhe të paimagjinueshme nga politikanët tradicionalë.
“Pa dashur të marr anë në zgjedhjet në Shqipëri, meqenëse kjo është punë e qytetarëve shqiptarë, megjithatë fushata online e Agron Shehaj është fantastike. Politikani që garon përballë dinosaurëve të politikës së atjeshme që kontrollojnë çdo gjë, ka gjetur çelësin e komunikimit me njerëzit e tij përmes rrjeteve sociale si askush më parë,” – shkruan Kërquki, duke shtuar se është kurioz të shohë nëse kjo fushatë do të ketë sukses më 11 maj.
Ndërsa shkrimtari dhe opinionisti i spikatur Edison Ypi shkon edhe më tej, duke e cilësuar Agron Shehajn si të vetmin politikan të pangjajshëm në këtë garë, të pastër nga çdo ndotje ideologjike apo nostalgji për diktaturën.
“Në tollovinë e sotme socio-politike, Agron Shehaj është i vetmi individ i pangjajshëm, i ndryshëm, i natyrshëm, me rrasht politik serioz, denbabaden, autentik,” – shkruan Ypi në një koment të gjatë.
Duke ironizuar kandidatët e tjerë si “përfaqësues të nomenklaturës, pinjollë të diktaturës apo hajdutë me licencë”, ai thekson se Shehaj nuk ngjan me askënd sepse nuk vjen nga e njëjta rrugë e konsumuar dhe e deformuar.
“Ata që ngjajnë, vjedhin. Ata si Agron Shehaj, kryejnë punët, ruajnë ekuilibrat, mbajnë gjallë shpresën.”
Në përmbyllje, Ypi e portretizon Shehajn si një njeri me vizion të qartë, ndershmëri, dhe gatishmëri për të përballuar realisht sfidat e vendit.
“Me seriozitetin dhe vullnetin që e karakterizon, Agron Shehaj do e bëjë Shqipërinë më serioze, më dinjitoze, më hijerëndë. Ai e ka të qartë se në politikë nuk hyhet për të vjedhur, por për të ndrequr dhe begatuar vendin.”
Ky reagim i dy zërave të njohur të opinionit publik vjen në një moment kur Shehaj po shfaqet si alternativë në një klimë politike të polarizuar dhe të dominuar prej dekadash nga të njëjtat parti politike.