Në vazhdën e traditës së përvitshme, më 6 maj në Prishtinë, do të festohet datëlindja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Kjo festë madhështore do të shënohet me një program të pasur kulturor dhe artistik.
Organizata Shqiptaria fton grupet artistike, shoqatat kulturore dhe klubet nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë.
Deri më tani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre grupe dhe shoqata nga arbëreshët e Italisë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, raporton KosovaPress.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.
Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri 1443, kur u rikthye në Krujë. Në vitin 1444, ai ka mbledhur të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku është vendosur unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.
Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që ka pasur si kryeqendër Krujën.
Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit.
Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku ka mbështetur mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ka qenë komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa ka vdekur më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.
Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.