Mblidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, do të diskutojë edhe për protestat në Serbi
Protestat në Serbi dhe situata në Ballkanin Perëndimor janë ndër temat e seancës pranverore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila filloi dje në Strasburg.
Në fokus të seancës, e cila do të zgjasë deri më 11 prill, do të përfshihen edhe diskutimet për situatën në Gjeorgji, arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit dhe gjendjen e demokracisë në Turqi, si dhe luftën në Ukrainë, raporton Beta.
“Kjo do të diskutohet si pjesë e një debati urgjent, ndërsa Serbia dhe Ballkani Perëndimor si pjesë e një debati për aktualitetin, sot pasdite”, njoftoi Këshilli i Evropës.
Parlamentarët e vendeve anëtare të KiE do të diskutojnë edhe për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ndërhyrjet e huaja si kërcënim për sigurinë demokratike në Evropë, lidhjen e Këshillit të Evropës dhe Komunitetit Politik Evropian, si dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në rendin e ditës janë edhe aspektet ligjore të anëtarësimit të BE-së në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe drafti i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Mjedisit nëpërmjet Ligjit Penal, forcimi i marrëdhënieve midis Këshillit të Evropës dhe Amerikës Latine, heqja e dëbimeve kolektive të të huajve, respektimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Rregullorja e Kuvendit.