Nga Dashnim Hebibi
Me rastin e 26-vjetorit të ndarjes nga jeta të nënës së tij të dashur, Salë Lipaj, dhe disa familjarëve të tjerë që ranë viktimë e regjimit kriminal serb, Prof. Dr. Xhavit Lipaj vjen me një vepër të re poetike, që është një rrëfim i thellë i dhimbjes dhe qëndresës.
Edhe pse i njohur si shkencëtar në fushën e mjekësisë dhe një figurë e respektuar në Zvicër, Prof. Dr. Lipaj është gjithashtu një krijues i ndjeshëm, një poet që flet me gjuhën e shpirtit. Libri i tij më i ri me poezi, “Përndritje nga errësira”, do të botohet më 13 prill — pikërisht në ditën kur, 26 vite më parë, u nda nga jeta nëna e tij, Salë.
Këto poezi, të shkruara në kujtim të saj dhe të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë, janë si një alfabet i dhimbjes, por njëkohësisht edhe një përpjekje për të ndriçuar errësirën me dritën e shpirtit dhe kujtesës.
Libri ka për redaktor PhD. Dashnim Hebibi dhe recensent Jeton Arifi, ndërsa është botuar nga shtëpia botuese “Libri im” në Pejë, me redaktim teknik nga Berat Thaqi.
Një vepër që jo vetëm duhet lexuar, por edhe përjetuar. Një përkujtim dinjitoz për nënën Salë dhe një lutje e heshtur për të gjithë dëshmorët e kombit.
Për më shumë, po sjellim fjalën e recensentit të librit.
FJALA E RECENSENTIT
Libri i radhës i Xhavit Lipajt, i cili është një përmbledhje prej katërdhjetë e katër poezish, kushtuar një figure emblemë të qëndresës së pathyeshme ndaj furtunës së pamëshirshme të një cikli jetësor shumë sfidues, në bërthamën e tij, është një elegji pa melodi.
Dimensioni shpirtëror i shpalosur brenda vargjeve të secilës nga poezitë që përbëjnë tërësinë e kësaj përmbledhjeje, përfaqëson një ekspresionizëm unik, i cili, burim frymëzimi ka qenien e përjetshme shpirtërore, burimin e dashurisë së pakushtëzuar.
Në thelb, ky libër është produkt i ndjenjës së veçantë të autorit, e cila i vlon nga brenda dhe kërkon që ai, në cilësinë e personazhit të pjesshëm të vargjeve të stolisura me mall, të rrëfejë para lexuesit, jo vetëm historinë e tij të trishtë të fëmijërisë së hershme, por edhe të prekë ndërgjegjen kolektive, për të mos lejuar që pluhuri i harresës të mbulojë qëndresën e pashoqe të shpirtave të bardhë që vetëdijshëm dhe vetmohueshëm vendosën të mos lëshonin vatrën autoktone as atëherë kur ajo ishte vërshuar nga krijesat sllave pa shpirt.
Në vet hyrjen e këtij libri, në kuadër të ‘Dritë që Ngjitet nga Errësira’, autori ofron një vështrim autokritik rreth përmbajtjes së përmbledhjes më të re të poezive të tij, i cili, tashmë gjendet në duart e lexuesit që di ta çmojë e bashkëndjejë çdo varg të tij të lagur me lot.
Përmbajtja e këtij teksti hyrës mund t’i shërbejë lexuesit si udhërrëfyes i përmbledhjes së një monologu të zhvilluar në vetën e parë, në praninë e shpirtit të engjëllit të tij mbrojtës – Nënës Salë.
Shpirti poetik i autorit e tërheq lexuesin brenda botës së tij, ku errësira nuk ka vend, pavarësisht se pikërisht aty është burimi i dhimbjes së tij.
Urtësia e tij, megjithatë, nuk mbjell vrerë për dorasit satanikë, të cilët burimin e jetës – pusin, e shndërruan në një vrimë të zezë që përpiu jetë të pafajshme.
Vargu i tij është thirrje për të luftuar harresën kolektive ndaj historisë jo të largët të popullit tonë, e cila është përplot dhembje dhe e personifikueshme me fatin e personazheve të këtij libri.
Autori, përmes vargjeve kaq të ndjeshme e të prekshme, nuk shfaqet vetëm si poet. Ai e dëshmon veten si një bir mirënjohës ndaj një nëne vetmohuese, burrëreshë, të cilën, i gjithë cikli i saj jetësor e karakterizoi me përkushtim mbinjerëzor për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të saj krejtësisht e vetme.
Nuk është vetëm ndjenja e mospajtimit me humbjen kaq të thellë që e bën autorin ta vuajë kaq shumë periudhën më kritike, nëpër të cilën po kalonte kombi ynë.
Plaga, të cilën do të duhej ta shëronte koha, ka lënë gjurmën e pashlyeshme në ndërdijen e tij, për shkak të mungesës së tij fizike atëherë kur, pa ngurrimin më të vogël, do ta sakrifikonte qenien e tij për të shpëtuar ata shpirta të pafajshëm nga thellësia e errët e një pusi jetëmarrës që dikur jipte jetë.
Në kuadër të poezive të përzgjedhura për këtë përmbledhje, Xhavit Lipaj sjell fragmente nga fëmijëria e tij e hershme, copëzat e të cilave hedhin dritë mbi brishtësinë e qenies së tij në zymtësinë e kohës, të cilën mund ta ndriçonte vetëm dashuria dhe përkushtimi vetëflijues i nënës së tij, figurës mbrojtëse deri në përjetësi.
Ky bir, dikur i njomë, mendjen e të cilit e rëndonin shumë pyetje e paqartësi, gjatë rrugëtimit të tij jetësor, edhe pse pa praninë fizike të Nënës Salë, çau shtigjet sfiduese me gjembat e përditshmërisë sfilitëse, për t’u bërë, jo vetëm krenaria e engjëllit të tij mbrojtës, por edhe pishtar i kujdesit specifik ndaj moshës së tretë në hapësira ndërkombëtare.
Ai, me energjinë e tij të pashterrshme, sot, përmes qasjes së tij inovative, po lufton demencën, armikun e kujtesës, ndaj humbjes së të cilës ai proteston përmes vargjeve të ndjeshme e prekëse të poezive të përmbledhura brenda këtij libri.
Duke lexuar cilëndo nga poezitë e këtij libri, lexuesi e përjeton ndjeshëm hapërimin e vështirë të një biri mirënjohës, i cili u rrit pa figurën atërore, por me mburojën e hekurt që i ofroi përkushtimi i palëkundur i një nëne, e cila, në vargjet e tij portretizohet si shkëmb i palëkundshëm nga dallgët e pamëshirshme të përditshmërisë sfiduese të kohës.
Ky libër është një prurje e re në letërsinë moderne shqiptare, i thurrur përmes vargjesh, të cilat nuk kanë rimë, por japin ndjenjë, kuptim, mall e pikojnë gjak të një zemreje të ndjeshme, e cila nuk pëlcet vetëm falë natyrës krijuese e shpërthimit emotiv të autorit. /Jeton ARIFI.
Autori në fillim të librit shkruan:
Dritë që Ngjitet nga Errësira
Ky libër nuk është, thjesht, një përmbledhje poezish.
Ai është një akt kujtese, një amanet i heshtur dhe një monument i ndërtuar me fjalë përballë harresës.
“Pusi i Dritës” nuk është vetëm një metaforë, është një realitet i dhimbshëm dhe një dritë e ringjallur. Në zemër të kësaj vepre qëndron një grua – Nëna Salë – e cila nuk u harrua në errësirë, por u kthye në simbol të përjetshëm të qëndresës, dashurisë dhe pavdekësisë shpirtërore. Në thellësinë e një pusi, mizoria tentoi ta shuajë jetën, por drita u ngjit si këngë që s’mund të mbytet.
botim është më shumë se një përkujtim individual – është një akt kolektiv, një thirrje për të mos harruar kurrë emrat e atyre që u flijuan pa faj. Ai i flet kujtesës sonë kolektive me një zë që nuk kërkon hakmarrje, por respekt; nuk kërkon urrejtje, por drejtësi; nuk kërkon harresë, por përjetësi.
Në çdo varg të këtij libri, lexuesi gjenë zemrën e një biri të vrarë nga mungesa dhe të rindërtuar nga dashuria. Gjenë një popull që vuan, por nuk përkulet. Gjenë një nënë – një emër që do të vazhdojë të ndriçojë, edhe nëpër breza që ende nuk janë lindur.
Ky është një libër drite që buron nga një errësirë e madhe. Një dritë që s’ka nevojë për reflektorë – sepse ndriçon nga brenda. Dritë që ngjitet nga errësira.