Një 33-vjeçar i identifikuar si Armand Selami, është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi organizonte lojëra fati në lokalin e tij përmes pajisjeve kompjuterike dhe një tavoline pokeri.
Blutë kanë sekuestruar pajisjet kompjuterike, një tavolinë pokeri dhe një mjet prerës.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
Njoftim:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Next”.
Gjatë këtij operacioni, u evidentua një rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie të jashtëligjshme në ambientet e një lokali në lagjen “Isa Boletini”, në qytetin e Vlorës.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i pronarit të këtij lokali, shtetasit A. S., 33 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia 3”, pasi dyshohet se në lokalin e tij organizonte lojëra fati të palejuara përmes pajisjeve kompjuterike dhe një tavoline pokeri.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 6 pajisje kompjuterike, një tavolinë pokeri dhe një mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.