Ballina Dossier Çfarë i sekuestroi diktatura Lef Nosit! Dorëshkrimet me kujtime për etnografinë dhe...

Çfarë i sekuestroi diktatura Lef Nosit! Dorëshkrimet me kujtime për etnografinë dhe politikanin shqiptar! Fshehja e dokumentit të pavarësisë

14
0

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”, përkujtoi dje firmëtarin e pavarësisë, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi (9 prill 1877-15 shkurt 1946).

Lindi më 9 prill të vitit 1877, në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, në një familje të kamur ortodokse. U arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e lindjes, iu përkushtua me zell punës për njohjen e gjerë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt objekt ndjekjeje për autoritetet osmane.

Në 1902 shpëtoi pa u dënuar, sepse nuk iu provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për shtetin e ri shqiptar mori formë në programin politik që, së bashku me Faik Konicën, shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej “Ana Kombëtare” dhe programi i saj përmbante 24 pika. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e perandorisë osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar do të ishte shtet laik. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si kryetar i shoqërisë “Afërdita” të Elbasanit, por pa të drejtë vote. Në maj të po këtij viti ndërmori një udhëtim në Filadelfia, SHBA, në shërbim të çështjes shqiptare.

Më 1909, u zgjodh kryetar i Klubit “Vllaznia” në Elbasan. Ishte një nga figurat qendrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) dhe të hapjes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909). Në këtë kohë ai ishte mësues i shkollës shqipe të natës. Më 7 gusht 1910 u arrestua nga ekspedita ndëshkimore e Shefqet Turgut Pashës, që kish vepruar në gjithë Gegninë. Katër ditë më vonë u dënua nga një gjykatë ushtarake dhe u internua në Bursë të Turqisë. U lirua 9 muaj më vonë, dhe në mesditën e 9 prillit 1911 mbërriti në Elbasan. Rifilloi të gjurmojë e të mbledhë dokumente historike, antikuare, filateli, materiale folklorike, etnografike, si dhe botime albanologjike e ballkanologjike. Kësisoj arriti të mbledhë një material të pasur folklorik. Shtoi bashkëpunimin me klubet atdhetare të kolonive shqiptare të Janinës, Stambollit, Manastirit, Bukureshtit dhe me klubet brenda vendit. Në vijim punoi dhe hartoi “Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash”, të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit. Më 28 nëntor të vitit 1912, u zgjodh një prej delegatëve që përfaqësonin Elbasanin në Kuvendin e Vlorës. Nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u zgjodh anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Në 4 dhjetor, u zgjodh ministër i Postë-Telegrafës. Ishte një nga nismëtarët për ngritjen e shërbimit informativ të shtetit të ri.

Nën drejtimin e tij, Qeveria e Përkohshme nxori gjashtë emisione pullash. Në mars 1914 u caktua në delegacionin e qytetit të Elbasanit për pritjen e princ Wied në Durrës. Në 25 dhjetor 1918, u zgjodh delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit, së bashku me Shefqet bej Vërlacin dhe Ahmet Daklin. Në 1919 u zgjodh delegat për në Konferencën e Paqes, përkrah Mehmet Bej Konicës, Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës, Imzot Luigj Bumçit etj. Në vitet 1918-‘19 drejtoi të përkohshmen “Kopështi letrar”, që botohej në Elbasan. Bashkë me mikun e tij, Ahmet Daklin, bënin pjesë në grupin politik “As i beut as i pashës”, që dështoi në zgjedhjet e viti 1923. Pas grushtit të shtetit të vitit 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. U tërhoq nga jeta politike me fitoren e Legalitetit në dhjetor të 1924, dhe iu kushtua studimeve gjuhësore, historike e etnografike, si dhe filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë kombëtare.

Më 18 dhjetor 1934, ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, me ndërmjetësinë e Inspektorisë së Arsimit, i kërkoi të përshkruante hollësisht flamurin e ngritur më 28 nëntor 1912. Botoi revistën e përmuajshme historike “Dokumenta historike për t’i sherbye histories tonë kombëtare” dhe më 1937, me rastin e 25-vjetorit, një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, u internua në Itali, bashkë me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon. U kthye në atdhe më 1942. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. U vendos në Tiranë, në hotel “Dajti”. Më 1943 u zgjodh kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe në tetorin e po atij viti, edhe anëtar i Këshillit të Regjencës. Pas tërheqjes së gjermanëve, u fsheh bashkë me Atë Anton Harapin në malet e Veriut, i veshur si frat.

Në tetor 1944 qëndroi në Kuvendin Françeskan. Meqë nuk mund të jetonte në malet e Pultit, e dërguan në fshatin Kir, ku pa kaluar shumë kohë u zbulua se nuk ishte frat dhe u arrestua. U dërgua në Tiranë. Gjyqi kundër tij, Atë Anton Harapit dhe Maliq Bushatit u hap më 1 shkurt 1946. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”. Mikja e tij, antropologia skoceze, Margaret Hasluck, i shkroi një letër Enver Hoxhës, në të cilën shfaq gatishmërinë për të dëshmuar përpara çdo gjykate shqiptare për pafajësinë e Lef Nosit. Por më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës (vendim nr. 24) e dënoi me vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtave qytetare e politike, si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. U ekzekutua te Kodra e Priftit (ose, sipas një versioni tjetër, te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane), bashkë me Maliq Bushatin dhe Atë Anton Harapin.

Sekuestrimi i pasurisë

Sipas një dokumenti të publikuar nga Arkivi Qendror në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së firmëtarit të Pavarësisë publikohet një listë të detajuar të asaj që u inventarizua në shtëpinë e Lef Nosit. Dokumentin për rëndësinë që ka po e sjellim të plotë:

“Pasunia e t’arratisunit politik Lef Nosi:

Nji kopsht me pemë të ndryshme në semtin e kullës e përbame prenj një pendë dheje Kufijt nga L. Ibrahim Bicoku, në perëndim Xhemali Filja, në Veri Demir Lulja e nga Juga Shtëpia e engleskës.

Vërejtje: Ky kopsht administrohet prej vetë pronarit.

Gjendja familjare e politike e pronarit përbahet prej nji personi, gjendja politike e tij para se të arratiset si pjestarë i Ballit kombëtar dhe tash më banim të paditun. Firmosës të këtij dokumenti janë: Hajrullah Demeli, Kostandin Doku, Pavli Kavaja, Selim Shehu.

II Shtëpi në lagjen Xhomi Elbasan Tre kate

Kati I tre dhoma si depo, njena bibliotekë

Kati II tre dhoma e nji banjë komplete e një kuzhinë

Kati III dy dhoma e nji sallon

Në kufi me Vasil Nosin. Gjendja e shtëpisë

Shënim: “Në këtë Shtëpi banon komandanti i Qarkut shoku Arif Konica si dhe Matilde Nikoll Nosi (nëna e Frederik Nosit) Matilde deklaron se shtëpia së bashku me të gjitha mobiljet që gjenden brenda i kemi me Lef Nosin.

Gjendja politike ish organizues i Ballit Kombëtar”.

Në faqen e dytë të dosjes nga ku është marrë dokumenti jepet urdhër që pasuria të sekuestrohet, por në rast se janë të varfër jo. “Megjithatë, në ato raste që pasuria është e madhe ose punohet me bujq komisioni i sekuestron dhe i administron sikurse pasunit e t’arratisunve politikë e bejlerëve”. Pra, nga ky dokument nuk del në dritë, se çfarë u mor në shtëpinë e Lef Nosit. Megjithatë ky dokument është vetëm një inventar dhe por më vonë dënimi me vdekje i Lef Nosit, Patër Anton Harapit dhe Maliq Bushatit, kishte të përcaktuar edhe sekuestrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, sepse ata persona që dënoheshin “nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.” Përveç kësaj Lefi pati edhe një sërë studimesh që u ndalën në vitin 1944 e për fatin e keq nuk u botuan, por ngelën nëpër arkiva, nga ku një pjesë, me sa duket është vjedhur. Megjithatë në Arkivin Qendror Shqiptar ka një fond të veçantë në lidhje me Lef Nosin.

Shtëpia e Lef Nosit ishte një muze materialesh të ndryshme që kishin vlera të mëdha, dhe librat e bibliotekës së tij përfunduan në drejtime të ndryshme, dhe mesa duket një pjesë e tyre gjendet edhe në Bibliotekën e qytetit të Elbasanit. Ai botoi më 28 nëntor të vitit 1937 dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë, por sot ky dokument nuk gjendet. Lef Nosi, gjërat më të vyera i depozitoi në Bankën e Shqipërisë dhe çelësin ia besoi mikut të ngushtë, Aleksandër Xhuvanit. Për jetën e Lef Nosit kanë lënë dorëshkrime me kujtime, i ndjeri Stiliano Nosi, dhe e ndjera mbesa, Adelina, si dhe nipi Vasili.

Të afërmit e tij kanë prezantuar një letër të heroit të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, Heroi të Popullit Qemal Stafa, dërguar Lef Nosit, në kohën kur ky ishte i internuar në Itali, e cila daton më 15 mars 1941, ku në fillim shkruhet: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”. Pas vitit 1990, u nderua si patriot i shquar, në një ceremoni organizuar në vendlindjen e tij, me pjesëmarrjen e veçantë të familjes Nosi, mbesës së tij, Adelina Kosturi (Nosi) dhe birit të saj, Skënder Kosturi. Lef Nosi është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit. Është cilësuar nga miq e të afërm të tij “akademik” dhe “personalitet kombëtar”, më shumë një “filolog” se sa një “politikan”.

Gjyqi ndaj Lef Nosit

Mikja e tij, antropologia skoceze, Margaret Hasluck, i shkroi një letër Enver Hoxhës, në të cilën shfaq gatishmërinë për të dëshmuar përpara çdo gjykate shqiptare për pafajsinë e Lef Nosit. Por më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës (vendim nr. 24) e dënoi me vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtave qytetare e politike, si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. U ekzekutua te Kodra e Priftit (ose, sipas një versioni tjetër, te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane), bashkë me Maliq Bushatin dhe Atë Anton Harapin. Lef Nosi qëndroi në hetuesi për 5 muaj, deri në fund të janarit të 1946, kur ai u nxor në gjyq më 31 janar 1946. Aty prokuroria e Gjykatës Ushtarake të Tiranës lëshon aktakuzën kundër të tre të arrestuarve, duke i akuzuar ata si “kriminelë lufte dhe armiq të popullit”, dhe me shumë akuza të tjera, që sigurisht nuk ishin të vërteta. Procesverbalin me Akuza po e japim në vijim:

“Republika P. e Shqipërisë

Gjykata Ushtarake e Tiranës

Nr. 24 i Librit Themeltar

Tiranë, më 31 janar 1946

Procesverbal

Prokuroria e kësaj Gjykate me akt-akuzën datë 31 janar 1946 na deferon për gjykim bashkë me aktet tre të pandehurit: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati po nga Shkodra, të akuzuar pse si kriminela lufte dhe armiq të popullit: dy të parët në cilësinë e tyre anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë dhe i treti ka përgatitur, n’ bashkëpunim me tradhtarë të tjerë, terrenin për okupimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptarë, në cilësinë e tij Kryeministër në kohën e okupacionit fashist ka bashkëpunuar në mënyrën më të ngushtë me okupatorin në dëm të popullit shqiptar dhe ka mobilizuar e subvencionuar forca armate për kundra luftës Nc. Çl, etj, etj. Aktet u regjistruan nën nr. 24 të Librit themeltar të këtij vjeti dhe për ditë gjykimi të çështjes u caktuan data 1 fruer 1946, ora 9, duke iu njoftuar të pandehurve që ndodhen të arrestuar.”

Pra, më 1 shkurt 1946, një trup gjykues prestarë të të cilit ishin Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, në praninë e prokurorit Misto Treska, hapë gjyqin në kinemanë “Kosova” në Tiranë (sot Teatri Kombëtar).Gjykimi u mbajt, në tetë sesione, të pranishëm ishin edhe shumë anëtarë të partisë që vazhdimisht e ndërpritnin procesin dhe me tallje dhe sharje. I pari është marrë në pyetje Lef Nosi, i përfaqësuar nga avokat Zoi Xoxa. Ndër shumë akuza të tjera Lef Nosi, nga prokurori u akuzua edhe si përgjegjës për vrasjen e 50 mijë vetëve, pavarësisht se e gjithë lufta nuk kishte më shumë se 3 – 4 mijë të tillë. Të tre ndër të tjera u mbajtën përgjegjës edhe për të gjitha humbjet që pati Shqipëria gjatë luftës.

Në përfundim të këtij procesi politik ku nuk doli asnjë akuzë e drejtpërdrejtë nga ato që mëtoheshin nga prokurori dhe vendimi i gjykatës, qe dënimi me vdekje për të tre të pandehurit. Pra, më 12 shkurt 1946 Gjykata Ushtarake e Tiranës mori vendimin për dënim me vdekje për Lef Nosin, Maliq Bushatin dhe Patër Anton Harapin. Dokumentin e Vendimit po e sjellim më poshtë:

“Akt-Gjykim

Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar prej: N/Kolonel Gaqo Floqi Kryetar, Major Frederik Nosit Anëtar, Kapiten Ire Veledin Zejneli, anëtar.

Me ligj:

Vendimi i gjykatës së faktit është i bazuar në dispozitat ligjore përkatëse, sasia e ndëshkimit caktuar me VDEKJE për të dënuarit është i drejtë dhe në përpjesëtim me fajet dhe veprat e kryera prej tyre:

Prandaj:

Gjykata e Lartë duke pëlqyer edhe mendimin e Prokurorit në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 datë 14 Janar 1945 mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.

Vendosi:

Aprovimin e akt-gjykimit Nr. 24 datë 12. II. 1946 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën është vendosur ndëshkimi me VDEKJE të pandehurve: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati nga Shkodra, me të cilën humbin të gjitha të drejtat qytetare dhe politike, sekuestrimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.”

Lef Nosi nuk pranoi të bënte kërkesë faljeje. Megjithatë organet e atëhershme bënë një dokument, që gjoja Lef Nosi kishte kërkuar që ti falej jeta. Dokumentin e përmendur do sjellim si më poshtë:

“Vdekje Fashizmit liri e popullit

P. T. Asamblesë kushtetuese Tiranë

I nënshkruemi Lef Nosi kam nderin me parashtrue sa më poshtë:

Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin e saj datë 12 të muajit vazhdues më ka ndërshkue me vdekje. Tue përsërit gjithçka kam thënë gjatë rrjedhimit të gjykimit lutem të kini mirësinë të më falet jeta.

Tiranë 12/2/1946
Me nderime Lef Nosi (firma)