Gazetarja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Real Story”, deklaroi se ligji për dekriminalizimin është një ndër arritjet më të rëndësishme të ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Sipas saj, nisma për këtë ligj ka ardhur pikërisht nga grupimi që përfaqësonte Basha, dhe për këtë ai meriton vlerësim.
“Dekriminalizimi ishte një iniciativë e krahut të Bashës. T’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit. Madje, në atë periudhë ai propozoi edhe Vettingun për politikanët, por kjo nismë nuk u pranua. U përgatit edhe një projektligj, por nuk u miratua,” – deklaroi Gjikondi.
Ligji i dekriminalizimit ka qenë një arritje e rëndësishme në historinë e politikës shqiptare, pasi synoi ta pastrojë atë nga elementët kriminalë dhe kontigjentët me të shkuar të errët, të cilët kishin hyrë në jetën publike kryesisht përmes Partisë Socialiste dhe nën drejtimin e Edi Ramës. Ky ligj është pa dyshim një ndër kontributet më të rëndësishme që Lulzim Basha ka dhënë në politikën shqiptare. Ironikisht, në zgjedhjet e fundit është vënë re një përmbysje rolesh, ku Sali Berisha ka kandiduar figura me të shkuar të dyshimtë dhe me lidhje të mundshme me botën e krimit, duke e vendosur veten në pozicionin që dikur i përkiste Ramës.
Duke folur për zhvillimet politike aktuale, gazetarja u shpreh se veprimet e Sali Berishës po i shërbejnë drejtpërdrejt fitores së kryeministrit Edi Rama.
“Mund të tingëllojë si një shaka me humor të zi, por në realitet, çdo ditë Berisha po punon për fitoren e Edi Ramës,” – deklaroi ajo.