Këngëtarja fituese e çmimeve ‘Grammy’, Jazmine Sullivan, ndau me ndjekësit një moment tejet personal dhe të dhimbshëm, teksa shënoi 38-vjetorin e lindjes.
Në një postim prekës në Instagram, artistja zbuloi se kishte përjetuar një abort spontan, vetëm pak kohë pasi humbi nënën e saj nga kanceri i gjirit në vitin 2023.
“Ka qenë një rrugëtim i vështirë drejt ditëlindjes. Më mungon nëna ime më shumë se ç’mund të shpreh me fjalë”, shkroi ajo. “Dhe sot do të kisha mbajtur në krahë djalin tim dy muajsh që nuk arrita ta takoj kurrë”.
Pavarësisht dhimbjes, Jazmine gjeti pak qetësi përmes një masazhi, duke ndarë se i ndihmoi të çlironte emocionet e grumbulluara.
Ajo falënderoi fansat për dashurinë dhe urimet, duke u lutur për më shumë forcë: “Ju lutem, vazhdoni të luteni për mua ndërsa përpiqem të shërohem nga rrëmuja e jetës”.
Në video të publikuara, ajo shihej teksa përjetonte emocione të forta përballë një torte ditëlindjeje të personalizuar, e rrethuar nga të dashurit.
Jazmine Sullivan u bë e njohur me albumin ‘Fearless’ në vitin 2008 dhe fitoi ‘Grammy’ në vitin 2022 për albumin më të mirë R&B, ‘Heaux Tales’.