Ballina Rajoni Mandiç: Vuçiç ka kërcënuar prokurorët e gjyqtarët për të arrestuar organizatorët e...

Mandiç: Vuçiç ka kërcënuar prokurorët e gjyqtarët për të arrestuar organizatorët e protestave në Serbi

44
0

Sofija Mandiq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd ka thënë se Vuçiq, për shkak të zemërimit pas protestave të qytetarëve, ka kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët duke u thënë që të arrestojnë organizatorët e protestave.

Këtë e bëri të ditur në konferencën rajonale për Reformën në Drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit, organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, në panelin e dytë diskutues me temën “Reforma në drejtësi dhe ndikimi i saj: Forcimi i drejtësisë dhe llogaridhënia në Ballkanin Perëndimor”.

“Por, edhe nga protestat që po ndodhin mund ta imagjinoni se cili është niveli i pakënaqësisë mes qytetarëve. Kemi edhe presidentin Vuçiq që është i zemëruar dhe thotë se këta organizatorë duhet të arrestohen. Po i referohet edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve, që i ka kërcënuar duke u thënë se ju duhet t’i arrestoni”, tha ajo.

Sipas saj, në Serbi ka pasur gjëra që kanë ndikuar në sistemin e ngritjes së vetëbesimit në sistemin gjyqësor, shkruan Betimi per Drejtësi.

“Gjyqtarët dhe prokurorët tanë po flasin haptas për problematikat që po i hasin, sepse në harmoni ndoshta edhe me kornizën ndërkombëtare, dhe shpesh ata flasin publikisht. Po ashtu, nuk u pëlqen kur një shtyllë e tretë u përzihet dhe ka një tendencë kur gjyqtarët dhe prokurorët po flasin për vendime”, tha Mandiq.

Mandiq theksoi rëndësinë e procesit të reformës në sistemin gjyqësor.

“Është me rëndësi çfarë thotë ligji, por është me rëndësi që njerëzit që punojnë në sistemin gjyqësor, në emër të qytetarëve, t’i mbrojnë ata nga fenomenet negative si korrupsioni. Si shoqëri civile, jemi në përkrahje të prokurorëve dhe gjyqtarëve kur ata ngritin pakënaqësi”, tha ajo.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, më 10 dhe 11 prill 2025 (e enjte dhe e premte), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) dhe fondeve programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, organizojnë: “Konferencën Rajonale për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Reformën në Drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, si dhe “Takimin Vjetor të Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.

Në këtë konferencë, marrin pjesë përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe vende të tjera.