Norvegjia po përjeton një rritje rekord të turizmit, me 16.7 milionë netë qëndrimi të regjistruara vetëm gjatë verës së vitit 2024, ndërsa udhëtarët nga mbarë bota po zgjedhin destinacione me klimë më të freskët për t’i shpëtuar temperaturave ekstreme në jug të Evropës.
Për të përballuar pasojat e mbingarkesës turistike, autoritetet norvegjeze kanë propozuar një takstë të re turistike. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Cecilie Myrseth, njoftoi se tarifa është reduktuar nga 5% në 3% të kostos së një nate akomodimi, dhe do të jetë vullnetare, duke u lënë komunave të drejtën për ta aplikuar sipas nevojës dhe sezonit.
Të ardhurat nga kjo tarifë do të investohen në përmirësimin e infrastrukturës për banorët dhe vizitorët, si ruajtja e shtigjeve natyrore dhe ndërtimi i tualeteve publike. Megjithatë, tarifa nuk do të aplikohet për turistët që nuk përdorin struktura formale, si pasagjerët e anijeve, kampistët në natyrë dhe vizitorët ditorë – grupe që shpesh janë kritikuar për ndikimin e tyre në mjedis pa ndonjë kontribut financiar.
Ligji për taksën turistike ende nuk është miratuar nga parlamenti dhe ka hasur në kundërshtime nga disa parti politike dhe operatorë turistikë, të cilët frikësohen se kjo mund të ulë numrin e vizitorëve dhe të dëmtojë industrinë.
Rritja e interesit për Norvegjinë lidhet me klimën më të butë, si dhe me ofertat unike si aurora boreale dhe “turizmi i natës” (nokturizmi) – një prirje e re që i tërheq vizitorët për përvoja natyrore të pazakonta dhe më të qeta, larg turmave tradicionale.