Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se Republika Popullore e Kinës mund ta njohë Kosovën së shpejti, derisa e para e shtetit kështu tha gjatë një paneli të titulluar “ADFTalks”, që u mbajt në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë 2025.
“Natyrisht, na duhet të luftojmë propagandën serbe dhe ruse, ato shkojnë njëra me tjetrën. Kina nuk është e përfshirë, ndonëse direkt nuk na kanë njohur, ata nuk kanë qenë të përfshirë aktivisht në luftimin e Kosovës, kanë pasur më shumë një rol abstenues, sesa të angazhohen kundër Kosovës. Prandaj, do të prisja më shumë që Kina të avancojë (drejt njohjes, shën.red.) më shpejt, por nga Rusia, Putini, nuk pres diçka të mirë për Kosovën e as për botën”, deklaroi Osmani në këtë forum.
Osmani u shpreh se vendi i fundit që ka njohur Kosovën, është Kenia, si vendi i 118-të, dhe shtoi se ky proces do të vazhdojë.
Sipas presidentes, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është mes dy shteteve dhe se përfundimi i tij duhet të jetë njohja reciproke.
Ndërsa sa i përket mbështetjes së shteteve ndaj Kosovës, Osmani tha se dy nga shtetet që e kanë mbështetur vendin janë SHBA-ja dhe Turqia, teksa falënderoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetje të vazhdueshme dhe e vlerësoi atë për mbështetje personale që ka dhënë në çdo mundësi.
“Presidenti Erdogan është një mik i jashtëzakonshëm për vendin tonë. Populli i Kosovës është jashtëzakonisht mirënjohës dhe mezi presim të vazhdojmë të punojmë me të, me kabinetin e tij, dhe mbi të gjitha me popullin turk që tregon gjithmonë dashuri dhe mbështetje për popullin e Kosovës”, përfundoi Osmani.
Teksa, Forumi Diplomatik të Antalisë (ADF2025) organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë dhe nën patronazhin e Presidentit Erdogan, tema e këtij viti është “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”.