Ballina Politika ​PS hap fushatën zgjedhore, kërkohet mandati i katërt qeverisës

​PS hap fushatën zgjedhore, kërkohet mandati i katërt qeverisës

38
0

“Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” është aktiviteti që çeli fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Takimi po mbahet në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku krahas vajzave dhe grave të pranishme, do të ketë lidhje direkte me gratë kandidate nga 11 qarqet e tjera të vendit. Në shkallë vendi, janë të pranishme 38.500 gra e vajza anëtare të PS.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në nisje të fushatës zgjedhore përmendi kontributin e madh të grave shqiptare në formimin e vendit.

Ai u shpreh se Parlamenti më parë ishte si odë otomane vetëm me burra, kurse tani jo vetëm drejtohet nga një grua, por pjesëmarrja e tyre është e madhe.

“Ai flamur që keni qëndisur me shumë durim do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Mëngjesin e 12 majit Shqipëria do të gdhihet e gjitha e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe e vajzave, por edhe ngjyra e PS”, tha Rama.

Sa i takon kandidateve, 38% e listës së mbyllur janë gra e vajza, ndërsa 56% e listës së hapur janë gra e vajza.

Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës për PS, Elisa Spiropali mbajti fjalën e saj në çeljen e fushatës zgjedhore.

“Sot, misioni ynë për 11 majin, kjo garë nuk është si gjithë të tjerat, është garë për Shqipërinë evropiane, ku fëmijët tanë të ndihen të dinjitetshëm. Shqipëria disa vite nuk është ajo që ka emrin sot dhe nderin në arenën ndërkombëtare. Gratë votojnë Shqipërinë, votojnë të ardhmen e tyre. Edhe në këto zgjedhje do jenë çelësi i suksesit për ta çuar Shqipërinë në familjen evropiane”, tha ajo, raporton tch.

Ndryshe, në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste synon të marrë një mandat të katërt qeverisës.