Ballina Editorial Sigurisht që Shqipëria nuk bëhet me heronj elektoralë!

Sigurisht që Shqipëria nuk bëhet me heronj elektoralë!

29
0

Nga Arian Galdini 

Ka diçka që e bën epokën tonë thellësisht më të rrezikshme se çdo regjim i së shkuarës: ajo nuk ndalon shpresën, por e prodhon atë vetë si imitim.
Në një kohë kur njerëzit nuk besojnë më as te politika, as te idealet, as te vetja, pushteti u ofron një zëvendësim: shpresën e paketuar, të dizenjuar, të pompimit industrial.
Kështu lind heroi elektoral.
Ai nuk del nga përplasja me errësirën, por nga dritat e studios televizive.
Nuk e njeh vetminë e betejës, por njeh veç listëporositë dhe ftesat e parreshtura në të gjitha studiot e të gjitha mediave.
Nuk ecën nëpër baltë për të mbërritur te njerëzit, por fluturon mbi ta, i pajisur me grafikë, slogane, profile të kuruara dhe video emocionale.
E megjithatë, për popullin e lodhur nga 35 vjet rrënimesh, ai duket si engjëll i zbritur nga qielli.
Në këtë vendin tonë, kemi arritur në këtë derexhe kur një njeri që hap një parti të re, bën mitingje dhe shfaqet nëpërmjet ca batutave a fragmenteve të postuara në rrjetet sociale, ngjitet menjëherë në altar si “shpëtimtar”, “zë i të harruarve”, “shpresa e fundit”, “legjenda”, etj, etj.
Por a është kjo ndonjë mrekulli që ka realisht gjasa të ndodhë kështu vetvetiu e kaq krejt papritmas vetëm 1 vit apo 2 vite para zgjedhjeve të radhës?
Jo.
Është një produkt i rafinuar industrial, një strategji marketingu që përfshin:
• investim të rëndë financiar nga oligarkë të lidhur me pushtetin;
• strategji narrative të ndërtuara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të imazhit;
• algoritme të blera për të dominuar rrjedhën e ndërgjegjes digjitale;
• sondazhe të porositura që sugjerojnë një mbështetje popullore që nuk ekziston, por që “krijon efektin bandë”, sepse njerëzit i ndjekin ata që u thuhet se i ndjekin të gjithë.
Ky është një iluzion i strukturuar si realitet. Jean Baudrillard, në “Simulacra and Simulation”, e përshkruan këtë: “Kur simulimi zë vendin e realitetit, ne nuk kemi më të bëjmë me një gënjeshtër, por me një rend të ri të së vërtetës.”
Sot në Shqipëri, ky rend i ri i së vërtetës quhet: “hero elektoral”.
Logjika e absurdit që ndërton mitin e rremë.
Nëse do të ndaleshim dhe të pyesnim seriozisht:
• Çfarë ka bërë ky njeri për shoqërinë a për kombin?
• Cili është akti i tij sublim? Cila është sakrifica e tij?
• Cili është vendimi i tij që ndryshoi diçka reale?
Përgjigjja do të ishte një heshtje absurde.
Sepse asgjë nuk ekziston.
E vetmja gjë që ekziston është shfaqja.
Këta “heronj të rinj” nuk kanë asnjë lidhje me konceptin tradicional të heroit që gjejmë te Homeri, ku heroi ishte ai që përballonte perënditë dhe ecurinë e pashmangshme të fatit për të shpëtuar të vetët.
As me konceptin e Hannah Arendt-it, ku heroizmi qëndron në veprimin e përgjegjshëm në hapësirën publike, me kosto personale.
Nuk kanë lidhje as me Solzhenitsyn-in, që u bë hero sepse i qëndroi së vërtetës edhe kur ajo e flaku në kamp përqendrimi në Gulag.
As me Mandela-n që sakrifikoi një jetë për të pranuar një paqe që nuk kërkonte hakmarrje.
“Heronjtë” tanë të rinj nuk kanë bërë asgjë.
Por janë gjithkund.
Në studio televizive, në çdo media, në sondazhe, në anketime. Në “live”.
Në stories. Në reels, e në Tik Tok.
Në sheshe e salla me dronë e foni dhe zë sfondi instrumental epik.
Kjo është tirania e formës mbi përmbajtjen.
Dhe nëse nuk ndërgjegjësohemi, do ta pësojmë si komb, do të besojmë në pasqyra që nuk reflektojnë fytyrën tonë, por atë që pushteti ka projektuar që ne ta duam.
Të shpallësh heronj ata që s’kanë luftuar, është krim ndaj historisë e vetvetes.
Le ta kujtojmë me zë të lartë:
• Skënderbeu nuk u bë hero sepse kishte marketing, por sepse u bë mur i vetëm mes një qytetërimi dhe errësirës.
• Ded Gjo Luli nuk ishte produkt i sondazheve, por i një ndërgjegjeje që vendosi të vetëflijohet për të vrarë padrejtësinë e për të mbrojtur komb e flamur.
• Adem Jashari nuk u bë viral në rrjet, por u bë mit sepse zgjodhi të mos dorëzohet përballë vdekjes.
Nëse vërtet duam t’i krahasojmë “liderët e rinj” me këta burra, atëherë duhet të na vrasë ndërgjegjja.
Sepse do të thotë që kemi vendosur ta shpallim mashtrimin si vlerë kombëtare.
Cili është rreziku më i madh?
Jo vetë heroi elektoral.
Por pranimi shoqëror i tij si i vërtetë.
Sepse në çastin që një popull pranon të adhurojë mashtrimin si hero, ai heq dorë nga vetë ekzistenca e tij si bashkësi që e di çfarë do dhe çfarë meriton.
Në një epokë të përmbysur, ku gjithçka duket por asgjë nuk është, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në një tokë ku as e vërteta nuk kërkohet më.
Sepse pushteti ka mësuar të japë vetëm formën e tij të gënjeshtrës që shitet si shpresë.
Por heronjtë nuk vijnë nga makineritë e propagandës.
Ata nuk ngjiten në podiume të paguara.
Ata nuk kanë nevojë të shpallen, sepse janë.
Dhe janë sepse kanë bërë, jo sepse kanë folur.
Shqipëria nuk bëhet me heronj elektoralë.
Ajo bëhet me ata që nuk i kërkoi njeri, por që u ngritën kur të gjithë u ulën.
Me ata që nuk i duartrokiti kush, por që bënë atë që askush s’guxoi.
Me ata që nuk u shfaqën për të pëlqyer, por për të shpëtuar.
Sepse vetëm ata, në heshtje, në vetmi, në dhimbje dhe në ngulm, janë në gjendje të bëjnë atë që heronjtë e vërtetë bëjnë: të ndërrojnë drejtimin e historisë.
Në gjuhën e filozofisë politike bashkëkohore, sidomos në teoritë mbi post-demokracinë, shpesh shfaqet një koncept që Hannah Arendt do ta përkufizonte si “banaliteti i së keqes”, një lloj mospërgjegjësie të strukturuar, një sistem ku askush nuk është realisht autor i së keqes, por të gjithë janë pjesë e një zinxhiri funksional që e riprodhon atë.
Në Shqipëri, kjo formë e banalitetit ka marrë pamjen më delikate e më tinëzare të mundshme: heroizmi i simuluar, ose sikurse është në të vërtetë këto kohë, heroizmi elektoral.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një individ që del nga shpirti i kombit, nga nevoja e thellë për drejtësi, për transformim, për përmbysje të gjendjes së mjerueshme.
Përkundrazi, kemi të bëjmë me një individ që ndërtohet nga lart-poshtë, nga laboratorët e PR-it politik, nga financues të fuqishëm, nga media të kapura dhe nga një shoqëri e lodhur që ka humbur aftësinë për të dalluar autenticitetin nga imitimi.
Ky është rasti klasik i asaj që Umberto Eco e përshkruante si “ikona boshe”, figura të projektuara për t’u adhuruar, por që nuk përmbajnë asgjë reale brenda tyre.
Simulimi i heroit në këtë formë është më i rrezikshmi, sepse nuk e shfaq veten si mashtrim.
Ai paraqitet si ofertë shprese, si përfaqësim i pastër, si zgjidhje e përhershme.
Në fakt, është një produkt i krijuar për të kanalizuar zhgënjimin dhe për ta neutralizuar atë përmes një iluzioni të kontrolluar.
Por cila është makineria e ndërtimit të heroit elektoral?
Në dekadat e fundit, komunikimi politik ka kaluar nga sfera e ideve dhe vizionit te sfera e perceptimit dhe imazhit.
Fenomeni i “personalizimit të politikës”, siç e kanë analizuar Colin Hay dhe Pippa Norris, ka zhvendosur fokusin nga partitë dhe platformat te liderët si figura karizmatike.
Karizma, në këtë kontekst, nuk është më dhunti e brendshme, por produkt i një inxhinierie të avancuar të komunikimit politik.
Në Shqipëri, kjo inxhinieri ka prodhuar një formë groteske të këtij personalizimi, liderin elektoral që shfaqet si shpëtimtar, pa qenë as reformator, as burrë shteti, as shenjtor sakrifice.
Le ta zbërthejmë procesin:
1. Prodhimi i perceptimit të mungesës: Përmes analizave të porositura dhe krizës së krijuar qëllimisht në opozitën tradicionale, sugjerohet se vendi ka nevojë për një “figurë të re”.
2. Zgjedhja e profilit: Një individ i formuar, zakonisht me profil të papërlyer, por të kontrollueshëm, i pranueshëm për grupet e interesit që dominojnë politikën dhe ekonominë.
3. Ndërtimi i narrativës: Përdoren elementë të letërsisë, sakrificës së shpifur, betejave të supozuara dhe një ton i rremë autokritik për ta bërë figurën “të dashur” për publikun.
4. Dominimi i perceptimit: Përmes pagesave të mëdha në rrjete sociale, përmes makinerive të algoritmave, përmes mbështetjes editoriale në media, krijohet ndjesia e “valës së re” që nuk ndalet.
5. Mitingjet si shfaqje: Organizohen ngjarje popullore që nuk janë të frymëzuara organikisht, por të orkestruara me burime logjistike, transport, marketing, mobilizim artificial. E gjitha për të ndërtuar një pamje televizive, jo një realitet qytetar.
6. Sondazhet e dirigjuara: Për të kompletuar iluzionin, publikohen anketime të porositura që e vendosin këtë figurë lart në renditje, duke i dhënë përmasën e “dashurisë popullore” një projekti që është, në të vërtetë, produkt i oligarkisë.
Filozofi i politikës Sheldon Wolin, në konceptin e tij të “inverted totalitarianism”, thotë se regjimet moderne nuk shtypin drejtpërdrejt; ato ushqejnë iluzionin e pjesëmarrjes përmes kontrollit të narrativës.
Lideri elektoral është mishërimi më i pastër i kësaj forme të pushtetit pasi ai nuk e sfidon kurrë sistemin, sepse është vetë produkt i tij.
Ai nuk ka lindur për të përmbysur, por për të krijuar përshtypjen se një përmbysje është e mundur, ndërkohë që ruan strukturat ekzistuese.
Është një lloj truku i sofistikuar i pushtetit, një revolucion i inskenuar, i paraprogramuar për të dështuar, për të zhgënjyer, për të shuar edhe gjurmën e fundit të rebelimit qytetar.
Në epokën e sundimit të ekranit dhe rrjeteve sociale, ajo që Jacques Ellul e quante “propaganda e intelektualëve” është zëvendësuar nga propaganda e ndjesisë, një formë komunikimi që nuk flet më me argument, por me emocione të dizenjuara.
Në këtë ambient, individi nuk është më qytetar, por konsumator i ndjesive politike.
Në një realitet të tillë, është e lehtë që një njeri i pazhvilluar politikisht, pa rrënjë filozofike, pa histori sakrifice, të kthehet në objekt adhurimi, për aq kohë sa është i ambalazhuar me kujdes dhe promovuar me fuqi financiare.
Shqiptarët, të lodhur, të zhgënjyer dhe të dekurajuar, nuk ndajnë më heroin nga aktori.
Dhe kjo është tragjedia më e madhe e një kombi, kur nuk njeh më Heronjtë.
Ajo që përgatitet në prapaskenë është edhe më e errët kur pas kulmimit të pritshmërive, pas mobilizimit të emocioneve, pas shpalljes së “alternativës së madhe”, vjen dështimi i planifikuar.
Ky është momenti kur populli nuk beson më askënd.
As të vërtetën.
As vetveten.
Ky është momenti i fitores absolute të Regjimit.
Sepse pushteti nuk ka më nevojë të shtypë askënd.
Populli e shtyp vetveten përmes dëshpërimit.
Kjo është pika e përbashkët mes Skuthokracisë së Edi Ramës dhe farsës opozitare të Sali Berishës, pra menaxhimi i alternimit për të ruajtur të njëjtën strukturë.
Në këtë errësirë të trashë, ku heronjtë janë të sajuar, ku mitingjet janë të orkestruara, ku shpresat janë të simuluara, mbetet një dritë: kujtesa.
Kujtesa që di të dallojë të vërtetin, origjinalin, burrin e shtetit nga figuranti.
Që e kupton se sakrifica nuk ka zë të lartë.
Që e di se heronjtë nuk e pëlqejnë pushtetin, por e përdorin për të shërbyer.
Shqipëria nuk bëhet me heronj elektoralë.
Ajo bëhet me të heshturit që nuk blihen dot.
Por me ata që nuk flasin, por bëjnë.
Me ata që e vuajnë kombin si plagë dhe jo si karrige.
Nëse ende ekziston një Shqipëri që kërkon shpëtim, atëherë duhet të fillojë duke refuzuar shpëtimtarët e rremë.
Sepse shpëtimi i një populli nuk është spektakël.
Është kalvar.
Është rrugë e gjatë.
Dhe vetëm ata që kanë ecur këmbëzbathur mbi të, kanë dijeni, qartësi, vërtetësi e për rrjedhojë kanë edhe të drejtën të flasin në emër të shpresës.