Futbollin italian është përfshirë në një skandal të madh pas një hetimi të thelluar të Prokurorisë së Milanos, që ka zbuluar një rrjet të gjerë bastesh të jashtëligjshme përfshirë 12 futbollistë të njohur të Serisë A. Hetimi nisi pas këqyrjes së telefonave të dy lojtarëve të njohur, Sandro Tonali dhe Nikolo Fagioli, dhe nxori në dritë një skemë të mirëorganizuar bastesh që ka funksionuar nga dhjetori i vitit 2021 deri në tetor të vitit 2023.
Gjatë kësaj periudhe, futbollistët nuk kanë manipuluar drejtpërdrejt rezultatet e ndeshjeve të futbollit, por janë përfshirë në baste në disiplina të tjera sportive përmes faqeve të jashtëligjshme, duke shkelur rregullat e Federatës Italiane të Futbollit dhe legjislacionin penal. Deri tani, janë sekuestruar pasuri që arrijnë vlerën e 1.5 milionë euro dhe janë lëshuar pesë kërkesa për arrest shtëpie.
Skema ka përfshirë përdorimin e metodave të ndryshme për të shlyer borxhet që futbollistët kishin krijuar nga bastet, përfshirë paguajtjen me ora luksoze të markës Rolex dhe sende të tjera me vlerë të lartë, të cilat mund të gjurmoheshin lehtësisht nga autoritetet.
Një argjendari në Milano është identifikuar si pikë kyçe në këtë skemë, ku futbollistët shkonin për të shlyer borxhet. Disa nga emrat më të njohur të përfshirë në hetim janë: Alessandro Florenzi, Nicolò Zaniolo, Mattia Perin, Weston McKennie, Leandro Paredes, Angel Di Maria, Raoul Bellanova, Samuele Ricci, Cristian Buonaiuto dhe Matteo Cancellieri.
Ky hetim ka shkaktuar një valë tronditjeje në ambientin sportiv italian dhe ka ngritur pyetje për ndikimin e skemave të paligjshme të basteve në botën e futbollit.